Trump tha se të dy "do t’i hapin rrugën administratës sime për të çmontuar burokracinë qeveritare, për t’u ulur rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e kota dhe për të ristrukturuar agjencitë federale".
Presidenti i sapozgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, ka njoftuar krijimin e një grupi të ri këshillues, Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), i cili do të drejtohet nga miliarderi i teknologjisë Elon Musk dhe sipërmarrësi i bio-teknologjisë dhe ish-kandidati presidencial, Vivek Ramaswamy.
Trump në një deklaratë tha se të dy "do t’i hapin rrugën administratës sime për të çmontuar burokracinë qeveritare, për t’u ulur rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e kota dhe për të ristrukturuar agjencitë federale".
Trump e përshkroi DOGE-n si potencialisht "Projekti Manhattan i kohës sonë", duke theksuar se udhëheqësit republikanë kanë aspiruar prej kohësh për një nismë të tillë.
Sipas Trumpit, grupi këshillues do të bashkëpunojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) për të adresuar joefikasitetin federal dhe për të promovuar një "qasje sipërmarrëse ndaj qeverisë që nuk është parë më herët".
Trump tha se DOGE do të drejtojë "reforma strukturore në shkallë të gjerë" brenda operacioneve federale. Megjithatë, nuk ishte menjëherë e qartë nëse DOGE do të funksionojë si pjesë zyrtare e administratës së Trumpit apo do të funksionojë në mënyrë të pavarur si një grup i jashtëm këshillues.
Në deklaratën e Trumpıt, Musk u citua duke thënë se DOGE "do të dërgojë valë tronditëse përmes sistemit dhe kujtdo që është i përfshirë në mbeturinat e qeverisë, që janë shumë njerëz".
Trump theksoi misionin e grupit, sipas të cilit do të largojnë "mbeturinat dhe mashtrimet masive që ekzistojnë përgjatë shpenzimeve tona vjetore prej 6,5 trilionë dollarësh të qeverisë".
Ai shtoi se puna e DOGE-s pritet të përfundojë deri më 4 korrik të vitit 2026, në kohën e 250-vjetorit të kombit nga nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë.