OKB-ja: Gaza rrezikon të humbasë një brez të tërë fëmijësh / Photo: AA

Drejtorja e Komunikimit të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Juliette Touma, tha se janë në prag të humbjes së një brezi të tërë fëmijësh në Rripin e Gazës nën sulmet izraelite.

Në videon e shpërndarë në llogarinë zyrtare X të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Touma jep informacione për situatën e fëmijëve në Gaza nën sulmet izraelite.

Sipas saj, të paktën 600.000 fëmijë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë që nga dita e fillimit të sulmeve izraelite. Touma tha se shumë shkolla janë mbyllur ndërsa shkollat ​​e UNRWA-së janë kthyer në strehimore.

"Kjo do të thotë se nëse kjo luftë vazhdon, ne do të rrezikojmë të humbasim një brez të tërë fëmijësh", tha Touma.

Ajo thekson se koha e largimit të fëmijëve nga shkolla do ta bëjë të vështirë kompensimin e humbjeve të tyre në arsim. Touma në fund bëri thirrje për armëpushim për fëmijët.

Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, janë vrarë 38.345 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra, ndërsa 88.295 të tjerë janë plagosur.

Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, në mes të shkatërrimit të infrastrukturës civile, dhe synimit të spitaleve dhe institucioneve arsimore ku njerëzit janë strehuar.

AA