OKB-ja: Sulmet e Izraelit ndaj Iranit kërcënojnë të drejtën e njeriut / Photo: AA

Raportuesi special i OKB-së për luftën kundër terrorizmit dhe të drejtave të njeriut, Ben Saul, tha të premten se sulmet ajrore të Izraelit gjatë natës ndaj Iranit po kërcënojnë të drejtën e njeriut për jetë.

“Sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit janë një tjetër shkelje e ndalimit të përdorimit të forcës ushtarake sipas ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së, si dhe kërcënojnë të drejtën e njeriut për jetë”, deklaroi Ben Saul në X.

Ekspertët e OKB-së, duke përfshirë Saulin, komunikuan më herët se të gjitha vendeve u ndalohet të privojnë në mënyrë arbitrare individët nga e drejta e tyre për të jetuar në operacionet ushtarake jashtë vendit, duke përfshirë edhe kundër terrorizmit.

Sipas ekspertëve, Izraeli nuk ka dhënë ndonjë justifikim ligjor për sulmin ose nuk e ka raportuar atë në Këshillin e Sigurimit, siç kërkohet nga neni 51 i Kartës së OKB-së.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA ka raportuar shpërthime në qytetin qendror të Isfahanit të Iranit dhe në perëndim të qytetit veriperëndimor të Tabrizit.

Tensionet u përshkallëzuan midis Iranit dhe Izraelit pasi Teherani nisi një sulm me dron dhe raketa të shtunën në përgjigje të sulmit të 1 prillit në konsullatën e tij në Siri, në të cilin u vranë shtatë këshilltarë ushtarakë.

Izraeli është zotuar për një përgjigje ushtarake ndaj sulmit të fundjavës së Iranit.

TRT Balkan / agjencitë