Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama qëndroi sot për vizitë zyrtare në Ankara, ku u prit me nderime shtetërore nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan. Gjatë vizitës, u firmosën 6 marrëveshje dhe memorandume në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Türkiyes.
Marrëveshjet synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si mjedisi, menaxhimi i pyjeve, fushën e medias dhe komunikimit dhe të tjera. Gjithashtu, u firmos marrëveshje mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA në Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi kontributin e madh që ka dhënë Türkiye për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërsa veçoi tri momente që sipas tij e bëjnë të paharrueshme praninë e Türkiyes në Shqipëri: njohjen e Kosovës si Republikë të pavarur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në Prishtinë, si dhe ndihmën ndaj Shqipërisë pas tërmetit dhe në kohën e koronavirusit.
“Kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja jashtëzakonisht të rënda, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Türkiye Shqipëria nuk do të jetë kurrë vetëm dhe ndërmorët iniciativën publike për fillimin e menjëhershëm për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja”, tha Rama.
Presidenti Erdoğan theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe ambiciet për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Erdoğan tha se të dyja palët synojnë të dyfishojnë shkëmbimin tregtar, ndërsa foli edhe për investimet turke në Shqipëri.
“Volumi tregtar ka arritur në 1 miliard dollarë. Objektivi ynë i ri është që ta çojmë në 2 miliardë dollarë. Türkiye është një nga 5 investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me 3,5 miliardë dollarë investime”, tha Erdoğan.
Dy liderët kanë diskutuar edhe situatën e sigurisë në rajon dhe në botë. Është folur edhe për luftën e Izraelit ndaj Gazës, ndërsa presidenti Erdoğan tha se me votimin e saj në OKB pro armëpushimit, “Shqipëria zuri vend në anën e drejtë të historisë”.