Në Slloveni është ndërmarrë një iniciativë për të qenë mikpritëse e Grand Depart të Tour de France, gara më prestigjioze e çiklizmit në botë, në vitin 2028 ose 2029.
Duke pasur parasysh se superylli slloven i çiklizmit, Tadej Pogačar, pritet ta synojë titullin e tij të katërt në Tour de France këtë vit, është nisur iniciativa që Sllovenia të kandidojë për organizimin e nisjes së garës prestigjioze.
"Janë mbajtur bisedimet e para me organizatorët e Tour-it dhe ekziston gatishmëria nga pala franceze. Megjithatë, tani na nevojitet një lloj letre qëllimi nga qeveria,” deklaroi për Radio-Televizionin e Sllovenisë Tomaž Ambrožič, drejtori i Sport Media Focus, një agjenci sportive dhe marketingu që organizon ngjarjen rekreative çiklistike L'Etape Slovenia by Tour de France.
Iniciativa i është paraqitur Matjaž Hanit, ministrit slloven të Ekonomisë, të Turizmit dhe të Sportit, nga Matjaž Rakovec, kryetari i Kranjit, qytet që që nga viti 2022 ka qenë nikoqir i ngjarjes L'Etape Slovenia by Tour de France.
Gara më prestigjioze e çiklizmit zakonisht fillon me tre etapa në një qytet ose rajon të ndryshëm çdo vit, shpesh në një vend jashtë Francës. Pas Kopenhagenit, Bilbaos dhe Firences, Grand Depart këtë vit do të mbahet në Lille të Francës, ndërsa vitin e ardhshëm në Barcelonë. Pritet që në vitin 2027 të rikthehet për herë të tretë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ky mund të jetë një rast që ndodh vetëm një herë në jetë. Nuk është një ëndërr e pamundur apo e paarritshme,” theksoi Ambrožič.
Federata Çiklistike Sllovene nuk është përfshirë drejtpërdrejt në nismë, por drejtuesit e saj kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në projektin potencial.
Kostoja e organizimit të Grand Depart-it në Kopenhagë dhe Bilbao ishte rreth 12 milionë euro, ndërsa Barcelona pritet të paguajë të paktën shtatë deri në tetë milionë euro për të qenë mikpritëse e nisjes së Tour de France në vitin 2026.