Thirrjet për armëpushim në Gaza ndërprejnë fjalimin e Bidenit në kishë

Thirrjet për armëpushim në Gaza ndërprejnë fjalimin e Bidenit në kishë

Disa nga turma brohorisnin "armëpushim tani" përpara se të nxirreshin nga salla e kishës.
Thirrjet për armëpushim në Gaza ndërprejnë fjalimin e Bidenit në kishë       / Foto: AA

Fjalimi i presidentit të SHBA-së, Joe Biden në një kishë të hënën u ndërpre nga thirrjet për armëpushim në Rripin e Gazës.

"Nëse vërtet brengoseni për jetët e humbura, atëherë duhet të bëni thirrje për armëpushim në Palestinë", bërtiti një nga protestuesit ndërsa Bideni mbante fjalim në një kishë në Charleston të Karolinës së Jugut.

Disa nga turma brohorisnin "armëpushim tani" përpara se të nxirreshin nga salla e kishës. Pasi protestuesit u larguan, ata që mbetën thërrisnin "katër vite të tjera", duke shprehur solidaritet me Bidenin.

"Unë e kuptoj shqetësimin e tyre dhe kam punuar me qeverinë izraelite për t'i bindur ata të largohen mjaftueshëm nga Gaza", tha Biden.

Një burim i Shtëpisë së Bardhë pretendon se Bideni, ndonëse në masë të madhe mbështet qeverinë izraelite në publik, u ka kërkuar izraelitëve në prapaskenë që të frenojnë sulmet shkatërruese, por deri më tani nuk ka arritur ta bëjë këtë në mënyrë të konsiderueshme.

Izraeli filloi sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Sulmet e lanë Rripin e Gazës në gërmadha. Rreth 60 për qind e infrastrukturës së enklavës u dëmtua ose u shkatërrua ndërsa rreth 2 milionë banorë u zhvendosën.

Të paktën 23.084 palestinezë janë vrarë dhe 58.926 janë plagosur që atëherë, ndërsa rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë sipas shifrave zyrtare.

TRT Balkan / agjencitë