Türkiye: Hapat e Izraelit kundër UNRWA-së, shkelje e ligjit ndërkombëtar /      Foto: AA

Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes tha se përpjekjet e parlamentit izraelit për t'u dhënë fund aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në territoret e pushtuara palestineze janë shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar.

Ministria e Jashtme turke bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me hapat e ndërmarrë nga parlamenti izraelit për ndalimin e aktiviteteve të UNRWA-së.

"Hapat që parlamenti izraelit ka ndërmarrë për t'u dhënë fund aktiviteteve të UNRWA-së në territoret e pushtuara palestineze shkelin qartë ligjin ndërkombëtar", thuhet në deklaratë.

"Izraeli duke vendosur në objektiv UNRWA-në synon të eliminojë zgjidhjen me dy shtete dhe të parandalojë kthimin e refugjatëve palestinezë në atdheun e tyre", thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se aktivitetet e UNRWA-së e cila ka ofruar ndihmë jetike për miliona refugjatë palestinezë që nga viti 1949 kanë rëndësi të madhe edhe në aspektin e stabilitetit rajonal.

"Është përgjegjësi ligjore dhe e ndërgjegjes së komunitetit ndërkombëtar që të mbajë qëndrim të fuqishëm kundër tentativave për ndalimin e veprimtarisë së UNRWA-së, e cila është themeluar me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Türkiye, e cila është kryetare e Grupit të Punës Financiare të UNRWA-së, do të vazhdojë të mbështesë Agjencinë në fjalë politikisht dhe financiarisht", theksohet në deklaratë.

AA