Të paktën 12 palestinezë u vranë në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.
Në deklaratën e bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza, thuhet se trupat e 5 palestinezëve janë gjetur pas sulmit të ushtrisë izraelite në një shtëpi në qytetin Jibaliya në veri të Gazës.
Raportohet se ekipet e mbrojtjes civile vazhduan përpjekjet e tyre të kërkimit dhe shpëtimit për të arritur tek të zhdukurit dhe të bllokuarit nën rrënoja.
Po ashtu, bëhet e ditur se një grua dhe dy fëmijë janë vrarë si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në një shtëpi tjetër në rrugën Es-Selasini në jug të qytetit të Gazës.
Theksohet se ekipet e mbrojtjes civile kanë pasur vështirësi në nxjerrjen nga rrënojat trupat e dy personave që u vranë në të njëjtën shtëpi.
Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze WAFA raportohet se dy palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Raportohet se dronët "Quadcopter" që i përkasin ushtrisë izraelite kanë shënjestruar një grup palestinezësh në kampin Al-Jadid, që ndodhet në veri të kampit të refugjatëve Nusairat në pjesët qendrore të Gazës. Nga sulmi raportohet se u plagosën shumë palestinezë, kryesisht fëmijë.
Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori u vranë 41.272 palestinezë, përfshirë të paktën 16.795 fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa 95.551 persona u plagosën.
Teksa raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet gjithashtu duke u vënë në shënjestër spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.