Ushtria izraelite vret dy palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar.    /Foto: AA

Dy palestinezë u vranë nga të shtënat e ushtrisë izraelite gjatë një sulmi ushtarak në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor të mërkurën, sipas një burimi mjekësor lokal.

Katër persona të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj një grupi palestinezësh jashtë një spitali në qytet, tha burimi.

Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Jenin herët të mërkurën, duke shkaktuar përleshje me banorët e zemëruar. Brenda kampit u dëgjuan krisma armësh.

Nuk kishte asnjë koment nga ushtria izraelite mbi këtë raport.

Tensionet janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi tetorin e kaluar.

Të paktën 432 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 4.700 të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza, ku janë vrarë afro 31.200 njerëz.

TRT Balkan / agjencitë