Vriten 15 palestinezë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës / Photo: AA

Të paktën 15 palestinezë janë vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në qytetet Khan Younis dhe Rafah në jug dhe ndaj qytetit të Gazës në veri të Rripit të Gazës.

Sipas informacioneve të marra nga burimet shëndetësore në spitalin "Naser" në Khan Younis, mësohet se në spital kanë mbërritur trupat e pajetë të 13 palestinezëve pas sulmeve ajrore që ushtria izraelite kreu në qytetet Khan Younis dhe Rafah.

Zyrtarët e spitalit Al-Ahli Baptist në qytetin e Gazës thanë se dy palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që shënjestruan dy rrugë në lagjen Zeitoun në lindje të qytetit të Gazës.

Ndërsa ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj, mjekët dhe civilët vazhdojnë të gjejnë dhe t'i dorëzojnë në spitale trupat e palestinezëve të vrarë nga sulmet ajrore ose zjarri i hapur nga dronët në ditët e fundit në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.

TRT Balkan / agjencitë