Blinken nesër në Shqipëri: Fokusi te e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.    /Foto: AA

Kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, do të riafirmojë marrëdhëniet e forta me Shqipërinë, të cilën ShBA-ja e sheh si një "partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor" dhe një "aleat të fortë" në mbështetje të Ukrainës, njofton Departamenti i Shtetit.

Zëvendësndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim, tha të martën se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.

Zonja Kim foli në një konferencë telefonike për mediet së bashku me Ndihmëssekretarin e Shtetit, James O’Brien, lidhur me vizitën e zotit Blinken në Shqipëri dhe atë në Mynih për Konferencën e Sigurisë.

“Vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100-vjetorin e dytë të marrëdhënieve ShBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”, tha ajo.

Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Matthew Miller para disa ditësh për vizitën e zotit Blinken në Shqipëri, thuhej se Shqipëria është “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”

Ish-ambasadorja e Shqipërisë Yuri Kim tha se zoti Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

“Duam t’i falënderojmë që ishin mikpritës kryesorë për afganët në nevojë dhe shqiptarët vazhduan kështu traditën e tyre historike për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha zonja Kim.

Ajo tha se Sekretari Blinken do të qëndrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 7-8 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, si edhe do të dalë para medias me zotin Rama.

Ish-ambasadorja Kim tha gjithashtu se Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.

Ajo tha se takimi është i rëndësishëm jo vetëm për shkak se do të jetë një bashkëbisedim me të rinj që kanë studiuar në ShBA, por edhe pse mbahet te Piramida që dikur ka qenë simbol i komunizmit dhe regjimit shtypës dhe izolues.

“Por rreth dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit bashkëpunuan për ta shndërruar piramidën në thelb një inkubator për inovacionin në teknologji, kështu që mendoj se është një ide e bukur”, tha ajo.

Ndihmëssekretari i Shtetit O’Brien në komentet e tij, tha se në Konferencën e Mynihut, ku do të mbajë një fjalim kryesor Nënpresidentja Kamala Harris, Sekretari i Shtetit, Blinken do ta vë theksin te mbështetja për Ukrainën te konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Tajvanit.

Mes të tjerash, ai tha se ShBA-ja do të sigurojë gjithashtu aleatët për mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit, duke iu përgjigjur shqetësimeve pas komenteve të ish-presidentit Donald Trump për NATO-n.

Sulmet izraelite në Gaza

Në lidhje me mosmarrëveshjet midis liderëve evropianë dhe ShBA-së për luftën në Gaza, O'Brien tha: "Ne besojmë se vazhdon të ketë konvergjencë midis nesh dhe aleatëve tanë evropianë për të drejtën që Izraeli të jetë në gjendje të mbrohet dhe të ndalojë Hamasin, terroristët që kryen sulmet terroriste të 7 tetorit japin llogari".

"Ne presim që sekretari do të flasë për këto gjëra në angazhimet e tij dypalëshe, por si dhe për çështjet shumë të rëndësishme për të siguruar që të ndërmerren hapa shtesë për të minimizuar ndikimin tek civilët si dhe të ndërmerren hapa shtesë për të garantuar që ndihmat të mund të vazhdojë të rrjedhë në Gaza", shtoi ai.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të hënën se duhet t'i bëhet presion Izraelit që të mos sulmojë qytetin e Rafahut, qyteti ku janë strehuar rreth 1,5 milion palestinezë.

"Edhe ShBA-ja, mbështetësi më i fortë i Izraelit, vetë Presidenti (Joe) Biden, konsideron se ky veprim është joproporcional, numri i civilëve të vrarë është shumë i madh dhe po paralajmëron Izraelin të mos vazhdojë në këtë mënyrë", tha Borrell.

"Nëse besoni se numri i vdekjeve është shumë i lartë, ndoshta mund të bëni diçka për këtë", tha ai, duke shtuar se BE-ja nuk po i siguron Izraelit armë, ndryshe nga ShBA-ja.

TRT Balkan / agjencitë