Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje me Nigerinë për të rikthyer pronësinë e mbi 500 objekteve prej bronzi të grabitura në Benin.
Marrëveshja e nënshkruar ditë më parë nga Fondacioni i Trashëgimisë Kulturore Prusiane dhe Komisioni Kombëtar i Nigerisë për Muzetë dhe Monumentet do të shohë që pothuajse një e treta e artefakteve të mbeten në muzetë gjermanë me hua, ndërsa pjesa tjetër do të kthehet në Nigeri duke filluar nga fundi i këtij viti.
“Kjo paraqet të ardhmen lidhur me çështjen e artefakteve; një e ardhme bashkëpunimi mes muzeve, një e ardhme e respektit dhe dinjitetit të kërkesave legjitime të kombeve të tjera dhe institucioneve tradicionale”, tha Abba Isa Tijani, drejtor i përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Nigerisë për Muzetë dhe Monumentet.
Ministrja gjermane e Kulturës Claudia Roth u bëri jehonë pikëpamjeve të ngjashme, duke shtuar se "marrëveshjet e mëtejshme për kthimin e koleksioneve të tilla do të pasojnë gjatë muajve të ardhshëm".
"Ky kthim do të shërbejë si shembull për të gjithë muzetë në Gjermani që mbajnë koleksione nga kontekstet koloniale”, tha ajo.
Pjesët janë pllaka të sofistikuara dhe skulptura të bëra prej bronzi, një zhanër i rëndësishëm arti që daton në shekullin e 13-të.
Artefaktet u vodhën nga Mbretëria e Beninit, e vendosur në Nigerinë e sotme, nga ushtarët britanikë në 1897 dhe përfunduan në muzetë në të gjithë Evropën. Mijëra objekte u dërguan gjithashtu në Londër si plaçkë lufte dhe u shitën.
Për dekada, vendet evropiane kanë qenë nën presion nga aktivistët dhe ish-kolonitë për të kthyer artefaktet e grabitura.
Disa ekspertë vlerësojnë se 80 deri në 90 për qind e trashëgimisë kulturore të Afrikës është aktualisht në muzetë evropiane.
Forumi Humboldt i Berlinit ka qenë në qendër të një debati rreth artikujve të epokës koloniale – rreth 20.000 artefakte afrikane dhe aziatike – në sallat e tij të ekspozitës.
Franca gjithashtu nënshkroi një marrëveshje vitin e kaluar për të filluar riatdhesimin e disa objekteve të vjedhura gjatë sundimit të saj kolonie mbi shtetin e Beninit të Afrikës Perëndimore.
27 Gus 2022
Gjermania do t'i kthejë Nigerisë artefaktet e vjedhura prej bronzi
Mbi 500 artefakte të grabitura nga ushtarët britanikë më shumë se 120 vjet më parë do të kthehen.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Hamamet turke: Simboli i pastërtisë së trupit dhe shpirtit
Hamamet turke, një nga simbolet më të rëndësishme të kulturës osmane, janë më shumë sesa thjesht hapësira për larje. Me një histori që zgjatet për mijëra vite, këto struktura madhështore mbartin tradita të thella sociale, kulturore dhe shëndetësore.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore