Ermenazi njihet si qendra e punishteve të poçarisë në rajonin e Idlibit.     Foto: AA

Në fshatin Ermenaz të provincës Idlib, që ndodhet në pjesën veriperëndimore të Sirisë, traditën e vjetër të poçarisë, e punuar me metoda autentike, e ruajnë një numër i vogël mjeshtrish.
Banorët e fshatit Ermenaz prej qindra vitesh përpiqen që njohuritë e tyre t’ua përcjellin brezave të ardhshëm, por edhe të fitojnë të ardhura nga poçaria, duke bërë poçe, tufa dhe dekorime në miniaturë për shtëpi.
Mjeshtrit përziejnë dheun “e bardhë” dhe “të kuqin”, të cilët e gjejnë në vende të veçanta dhe e kthejnë në baltë. Modelojnë baltën dhe, pasi marrin formën e dëshiruar, e pjekin objektin e përfunduar në furra të posaçme.
Ermenazi njihet si qendra e punishteve të poçarisë në rajon. Sipas dëshmive të popullsisë vendase, tradita e poçarisë daton që nga koha romake.
Deri para disa vitesh në fshat kishte mbi 40 punishte në të cilat punonin 1.500 veta. Produktet e prodhuara në punishte eksportohen kryesisht në vendet e Gjirit dhe në vendet evropiane.
Por, për shkak të luftës civile në vend që po vazhdon prej më shumë se 11 vitesh, eksportet janë ndalur, gjë që ka sjellë edhe mbylljen e punishteve.
Aktualisht, vetëm një numër i vogël i punishteve të poçarisë prodhojnë produkte për tregun vendas, por vetëm me porosi.

Banorët e fshatit Ermenaz prej qindra vitesh përpiqen që njohuritë e tyre t’ua përcjellin brezave të ardhshëm.     Foto: AA

Mjeshtri Mustafa Eburis nga fshati Ermenaz tha për AA se banorët e fshatit janë marrë me artin e poçarisë dhe qelqit prej qindra vitesh.
Eburis tha se e ka mësuar zanatin nga babai i tij.
“Gjyshi ia kaloi zanatin babait tim dhe babai im mua. Unë mësoj edhe djalin tim. Djali im i bëri të gjitha produktet që shihni. Unë prodhoj 200 copë në ditë. Nëse do të kisha eksporte jashtë, mund të prodhoja më shumë se 1.000”, tha Eburis.
Siç tha ai, dikur kanë qenë rreth 40 punëtori, ndërsa tani janë aktive vetëm pesë.
“Më parë punonin më shumë se 1.000 njerëz dhe tani çdo punëtori punëson një punëtor”, shpjegoi Eburis.
Mjeshtri Eburis përmendi se tregtia e poçarisë u ndal pas fillimit të luftës civile në Siri.
“Ne nuk eksportojmë në vende të huaja. Artizanët u larguan nga vendi dhe ikën në vende të tjera”, tha Eburis.

AA