Bota njeh shumë gjuhë, por vetëm një është artificiale. Në vitin 1887 u themelua esperanto, një gjuhë artificiale e cila kishte për qëllim të flitej unanimisht kudo në botë.
Ishte doktori polak, Ludwik Zamenhov, i cili kishte parë shumë herë si njerëzit luftonin dhe keqkuptoheshin për shkak të gjuhëve të ndryshme që flisnin, e ai mendoi se nëse do të kishim një gjuhë të përbashkët, do të mund ta kuptonim më mirë njëri-tjetrin dhe do të jetonim në paqe. Gjuha e esperantistëve flitet edhe në Shqipëri.
TRT Balkan intervistoi një prej esperantistëve të parë shqiptarë, i cili rrëfen se si kjo gjuhë e gjeti rrugën e vet për në Shqipëri. “
I pari që ka folur qartë për esperanton ka qenë dijetari ynë Mid’hat Frashëri. Në vitin 1902 ai bën një përshkrim të hollësishëm të strukturës, të vlerave, të rëndësisë së esperantos në gazetën ‘Drita’ që botohej në Sofie”, thotë esperantisti Bardhyl Selimi.
Sipas Bardhylit, në 1929-ën Cuk Simoni nga Shkodra arriti të botojë një libër për Skënderbeun në esperanto. Libri me 15 kapituj dhe që u përhap në Evropë dhe shërbeu si një guidë për esperantistët e Evropës për Shqipërinë.
“Vetëm pas ’90-ës pastaj lirisht ne nuk kishim asnjë pengesë. Krijuam shoqatën esperantiste dhe në këtë mënyrë e zgjeruam. Me qindra nxënës dhe studentë janë njohur të paktën me nivelin elementar të esperantos. Shqipëria ka mbi 500 esperantistë.
Një pjesë e tyre kanë ikur në mërgim” shpjegon z. Bardhyl. Në vitin 1905, u mbajt Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Esperantos, që e ndihmoi gjuhën të njihej globalisht. Në vitet 1960 dhe 1970, interneti e ndihmoi përhapjen, ndërsa viteve të fundit platforma si Duolingo e kanë bërë më të lehtë mësimin e gjuhës. Sot numërohen afro 2 milionë esperantistë në gjithë botën.
“Ka kudo esperantistë. Ne kemi një databazë, një libër me adresa, telefona. Nëse ti ke nevojë të shkosh në Portugali, për shembull, aty ke disa esperantistë ku mund të shkosh. Sapo të marrin vesh që ti je esperantist, ata të shoqërojnë, madje të pranojnë dhe disa net në shtëpi…” shpjegon esperantisti shqiptar, duke theksuar se esperantistët janë një komunitet i mirëfilltë global.