Panairi i Librit në Tiranë mbledh 90 botues nga rajoni.        Foto: Shoqata e Botuesve Shqiptar/Facebook

Panairi i 27-të i Librit “Tirana 2024”, ngjarja më e shënuar për kulturën dhe letërsinë shqiptare tashmë është hapur dhe do të zhvillohet deri më 17 nëntor.

Gjatë këtyre ditëve publiku mund të vizitojë stendat e shtëpive botuese, në një hapësirë prej 1.500 m², të takohet me shkrimtarët e përkthyesit, por edhe të marrë pjesë në aktivitetet promovuese. Janë gjithsej 90 botues pjesëmarrës në panair, një pjesë e tyre edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Rreth 50 organe të medias do ta ndjekin këtë ngjarje, për të raportuar mbi 100 veprimtaritë dhe 60 promovimet që janë programuar të ndodhin.

Siç është bërë dhe traditë tashmë, një juri e veçantë do të ndajë dhe çmimet e Panairit për veprat më të mira të vitit 2024. Këtë vit juria është e përbërë nga profesionistë të njohur në fushën e letrave: Anisa Ymeri, gazetare e kultures; Ben Andoni, publicist e përkthyes; Ilir Baçi, përkthyes; Ledia Dushi, poete e përkthyese; Luli Sula, studiuese e letërsisë, pedagoge në UT.

TRT Balkan / agjencitë