Shkupi nën ethet e festivalit të këngës shqipe “Nota Fest”.     Foto: Nota Fest/Facebook

Salla e Teatrit Popullor në Shkup do të jetë vendi ku simpatizantët e këngës shqipe do t’ia mësyejnë gjatë mbrëmjes së sotme.

Në këtë sallë do të mbahet edicioni i 18-të i Festivalit më të njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Nota Fest.

Për dallim nga dy vitet e kaluara ku si pasojë e pandemisë festivali në fjalë u realizua me dyer të mbyllura dhe vetëm në transmetim të drejtëpërdrejtë televiziv, kësaj radhe nuk do të mungojnë duartrokitjet e publikut.

Programi i festivalit ka paraparë performimin e 17 këngëtarëve.

Pjesë e këtij edicioni janë kryesisht këngëtarët e rinj, por edhe këngëtarë të cilët tashmë janë të njohur për publikun shqiptar, si nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, si edhe nga Mali i Zi.

Për dallim nga viti i kaluar ku këngët kryesisht ishin balada, këtë vit, sipas organizatorëve, do të ketë një miks të zhanreve muzikore.

Për t’u pranuar një garues si pjesëmarrës i festivalit parimisht duhet të prezantojë projektin e tij të këngës me tematikë festivali, të jetë këngë autoriale, të përmenden autorët e muzikës dhe orkestrimit.

Çmimin për këngën më të mirë të festivalit do ta përcaktojë publiku nëpërmjet të drejtës së votimit, ndërsa juria profesionale është caktuar për ndarjen e çmimit kryesor dhe dytësor.

Çmimi për vendin e parë do ketë shpërblim prej 2.000 euro, për vendin e dytë 1.500 euro dhe vendin e tretë 1.000 euro të cilat do të vlejnë për shpenzim të videoklipeve.

Përveç këngëve garuese, programin do ta zbukurojnë edhe disa këngë të kënduara nga mysafirë specialë.

Biografia e Festivalit “Nota Fest”

Nota Fest është festivali i vetëm muzikor shqiptar në Maqedoninë e Veriut i cili daton nga viti 1995.

Ai zhvillohet në Shkup dhe çdo vit sjell hite të reja dhe këngëtarë që pasurojnë estradën shqiptare duke argëtuar simpatizantët e muzikës gjatë tërë vitit.

Në pamundësi për t’i përballuar shpenzimet e organizimit, festivali Nota Fest u ndërpre në vitin 2008.

Dy vite më vonë, pra në vitin 2010 festivali i muzikës moderne Nota Fest u shndërrua në një festival të muzikës popullore tashmë i emëruar me emrin “Fest Nota e Artë” i cili vazhdoi traditën deri në vitin 2012, që për shkaqe të njëjta financiare nuk pati më shumë vazhdimësi.

Më pas, pikërisht në periudhën e vështirësisë me pandeminë, në vitin 2020 u rikthye Nota Festi i muzikës moderne dhe që sot 3 vjet po e organizon këtë eveniment në mënyrën më të mirë.

TRT Balkan