Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar krizë globale të shëndetit mendor, duke shkaktuar stres dhe duke dëmtuar shëndetin mendor të miliona njerëzve, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në shënimin e 10 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor.
Që para pandemisë, vlerësohet se një nga tetë njerëz në botë jetonin me shëndet të përkeqësuar mendor, ndërsa Covid-19 ka sfiduar edhe më shumë aspekte. Dallimi në mjekimin e shqetësimeve mendore mes të pasurve dhe të varfërve është thelluar edhe më shumë.
Shërbimi, aftësitë dhe mjetet financiare për trajtimin e shëndetit mendor në shumë vende edhe më tej nuk janë të mjaftueshme, thekson OBSh-ja, dhe bën thirrje për forcimin e kujdesit në mënyrë që i gjithë spektri i nevojave lidhur me shëndetin mendor të plotësohet nëpërmjet një rrjeti të disponueshëm, të përballueshëm dhe cilësor të shërbimeve.
Simptomat e para që në fëmijëri
Shenjat e para të pengesave dhe problemeve të shëndetit mendor më së shpeshti paraqiten që në moshë fëmijërore dhe adoleshencë. Nëse nuk marrin vëmendjen dhe trajtimin e duhur, mund të kenë ndikim të rëndësishëm më tutje gjatë jetës.
Hulumtimet tregojnë se njohuritë shëndetësore te të rriturit janë të rëndësishme në mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve, pasi përkthehen në diagnostifikim të hershëm, veprime të duhura dhe destigmatizim.
Më së shumti të prekur nga ankthi dhe depresioni
Në vitin e parë të pandemisë është rritur për 25 për qind numri i të prekurve nga ankthi dhe depresioni, ndërsa 14 për qind e adoleshentëve (mosha 10-19 vjeç) në vitin 2019 kanë jetuar me ndonjë shqetësim mendor.
Sipas vlerësimit të OBSh-së, rreth një miliardë njerëz kanë çrregullime mendore dhe secili, kudoqoftë, mund të preket. Depresioni është shkaktari kryesor i paaftësisë për punë në botë dhe ka kontribut të madh në barrën e përgjithshme globale të sëmundjeve.
Gjendja në rajon
Maqedonia e Veriut ka miratuar Strategjinë Nacionale për Avancim të Shëndetit Mendor në vitin 2018 për periudhë shtatëvjeçare (2018-2025). Theksi kryesor në strategjinë nacionale është parandalimi i sëmundjeve dhe promovimi i shëndetit mendor, me plan adekuat për organizimin e institucioneve për shëndet mendor në secilin nivel të kujdesit shëndetësor.
“Në qendër të vëmendjes të kësaj strategjie është secili individ dhe nevojat e tij për përmirësimin e shëndetit mendor”, thekson Instituti i Shëndetësisë Publike në Maqedoninë e Veriut.
Në Shqipëri, çështja e shëndetit mendor llogaritet si pjesë e paketës së shërbimit parësor. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën të ditur se “mbi 21 mijë pacientë të kësaj kategorie kanë përfituar barna falas gjatë vitit 2022”. Rimbursohen barna që trajtojnë 28 diagnoza të ndryshme të shëndetit mendor.
Në Kosovë është shënuar sot Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor me aktivitete sensibilizuese në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Institucionet kosovare ende zyrtarisht nuk kanë ndonjë statistikë se sa persona në gjithë Kosovën vuajnë nga sëmundje mendore, mirëpo organizata “Klubi Dëshira” thotë se vetëm në rrethin e Prishtinës janë të evidentuar rreth 200 persona të tillë.
Në Kroaci, mbi 1 milion njerëz janë paraqitur në ambulantat për shërbim parësor shëndetësor me shqetësime mendore, ose çdo i dyti qytetar i moshës 20 deri 64 vjeç. Çështjet e shëndetit mendor janë arsyeja e nëntë për hospitalizim në Kroaci, me 6% kontribut në të gjitha hospitalizimet gjatë vitit 2020.
10 Tet 2022
Covid-19 rriti ndjeshëm vështirësitë me shëndetin mendor
Në vitin e parë të pandemisë është rritur për 25 për qind numri i të prekurve nga ankthi dhe depresioni, ndërsa 14 për qind e adoleshentëve (mosha 10-19 vjeç) në vitin 2019 kanë jetuar me ndonjë shqetësim mendor.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore