Pasojat e pandemisë: Frika nga Covid ndikoi në uljen e lindjeve në Evropë     Foto: AA

Evropa përjetoi një rënie prej 14% të lindjeve të gjalla në janar 2021, vetëm 9-10 muaj pas pikut të parë të pandemisë Covid-19 dhe mbylljeve të para, krahasuar me numrin mesatar të lindjeve në janar 2018 dhe 2019.

Kështu tregon një studim i publikuar në Human Reproduction, një nga revistat kryesore të mjekësisë riprodhuese në botë. Studimi thotë se rënia mund t’u atribuohet mbylljeve në shumë shtete evropiane më shumë se sa problemeve si rezultat i infektimit me Covid-19, si vdekje, abortime ose lindjet e foshnjave të vdekura. Kjo për shkak se nuk vërehet rënie në numrin e lindjeve të gjalla pak javë ose muaj pas shpërthimit të pandemisë, por vetëm pas një periudhe nëntëmuajshe.

Autori i parë i studimit, dr. Leo Pomar, thotë se rënia e lindjeve duket të jetë më e zakonshme për vendet me sisteme shëndetësore më të vështira dhe me kapacitete të stërmbushura në spitale.

“Kjo çoi në mbyllje dhe masa të distancimit social në përpjekje për të frenuar pandeminë. Sa më të gjata mbylljet, aq më pak shtatzëni në atë periudhë. Besojmë se frika e çifteve nga kriza shëndetësore dhe sociale gjatë kohës së valës së parë të Covid-19 kontribuoi për rënien e numrit të lindjeve 9 muaj më vonë”, tha Pomar.

Një spektër arsyesh – por kryesisht frika

Frika e çifteve vlerësohet të jetë faktori kryesor për rënien e regjistruar.

Frika nga e ardhmja e pasigurt për shkak të pandemisë, frika nga implikimet e mundshme financiare dhe shëndetësore, mungesa e informacioneve të mjaftueshme për ndikimin e koronavirusit ndaj grave shtatzëna dhe foshnjave janë disa nga arsyet kryesore që kanë nxitur çiftet për prolongimin e shtatzënive.

Gjithashtu, tashmë dihet se stresi te çiftet që planifikojnë të bëhen prindër, rrit ndjeshëm gjasat e infertilitetit.

Studimi përcakton se variabli më i rëndësishëm te ky trend ka qenë kohëzgjatësia e mbylljeve në shtetet e veçanta.

Faktori i dytë më i rëndësishëm është gjendja ekonomike. Në vendet me të hyra më të ulëta për kokë banori, rënia e lindjeve gjatë pandemisë është shumë më e madhe sesa në vendet me të hyra më të larta për kokë banori.

Krizat ndryshojnë demografinë

Mbi 6.5 milionë njerëz në mbarë botën humbën jetën si pasojë e Covid-19. Por, ky nuk është implikimi i vetëm demografik i kësaj pandemie. Rënia e madhe e lindjeve, siç tregon ky studim, mund të ketë ndikime afatgjata negative në shtimin e popullsisë në vende të caktuara.

Pandemitë e mëhershme në shekullin XX dhe XXI, si Gripi Spanjoll në vitin 1918 dhe përhapja e Ebolës në 2013 dhe Zikas në 2016, ishin shoqëruar me rënien e lindjeve nëntë muaj pas pikut. Arsyet ishin numrat e lartë të vdekjeve te prindërit në dy pandemitë e para dhe shkalla e lartë e vdekje të fetusit si pasojë e ekspozimit të drejtpërdrejtë me virusin Zika. Dëshira e çifteve për të prolonguar shtatzënitë në kohëra krizash gjithashtu ka luajtur rol.

Hulumtuesit në këtë studim donin të vërtetonin nëse një trend i ngjashëm mund të konstatohet edhe pas pandemisë së Covid-19.

Gjatë studimit janë analizuar 24 vende evropiane. Më së shumti rënie ka pasur Lituania (28%), Ukraina (24%), Spanja (23.5%), Rumania (23%), Portugalia (18%), Italia (17%), Letonia (15.5%), Franca (14%), Skocia (14%), Estonia (13%), Uellsi (13%) dhe Belgjika (12%).

“Kjo mund të ketë pasoja të mëdha në piramidat demografike, sidomos në vendet me numër tashmë të ulët të fëmijëve për çift”, thuhet në raport.

Një rritje e lehtë e numrit të lindjeve është vërejtur nga marsi 2021. Megjithatë, në shumë vende rritja e numrit të lindjeve pas pandemisë nuk do të zbusë pasojat demografike.

“Fakti që rikthimi i lindjeve duket se nuk do të kompensojë për uljen në janar të vitit 2021, mund të nënkuptojë pasoja të mëdha demografike, veçanërisht në Evropën Perëndimore, ku popullsia po plaket ndjeshëm”, thotë dr. Pomar.

Christian De Geyter, profesor në Universitetin e Bazelit, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë studim, thotë se “këto hulumtime janë të rëndësishme sepse tregojnë se sjellja e riprodhimit njerëzor, e evidentuar me numrin e lindjeve, ndryshon shumë gjatë kohërave dramatike, epidemive dhe krizave globale”.

Ulja e lindjeve, sipas tij, mund të ndikojë në plakjen e popullsisë dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike.

TRT Balkan