Një grua 39-vjeçare u hodh nga ndërtesa e gjinekologjisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 3 korrik, disa ditë pasi kishte lindur fëmijë. Ajo i mbijetoi rënies dhe aktualisht po shëron plagët e rënda, ndërsa mjekët po përpiqen të lokalizojnë shkaqet që e çuan këtë grua drejt këtij akti ekstrem.
Vlerësimet e para janë se pacientja ballafaqohej me periudhë të rëndë të shëndetit mendor, duke shfaqur simptoma edhe disa ditë para aktit. Dyshimet janë se ajo, mes të tjerash, ishte prekur edhe nga depresioni pas lindjes, një gjendje e shpeshtë te gratë që lindin, por që flitet shumë pak, ndërsa fatkeqësisht pak edhe trajtohet.
Depresioni pas lindjes
Gratë e gjithë botës për vite të tëra luftonin me depresionin pas lindjes pa e kuptuar se çfarë ndodh me trurin dhe trupin e tyre pas lindjes. As të afërmit nuk e kanë kuptuar gjendjen e tyre emocionale dhe shpesh ia kanë atribuuar shkaqeve të tjera. Por, në fund të viteve të 80-ta ndryshoi gjithçka. Filloi ngritja e vetëdijes dhe filloi të kuptohet më mirë se çfarë përjetojnë një numër i madh i grave pasi kalojnë procesin më të vështirë dhe më të bukur të jetës së tyre.
Depresioni pas lindjes zakonisht shkaktohet nga një kombinim i faktorëve fizikë dhe emocionalë që ndodhin pas lindjes dhe nuk kanë lidhje me atë që bën ose jo nëna. Depresioni pas lindjes vjen si pasojë e niveleve të ndryshuara të hormoneve, si për shembull ulja dramatike e niveleve të estrogjenit dhe progesteronit.
Simptomat
Si duket një grua që preket nga depresionit pas lindjes? Simptomat kryesore që përjetojnë gratë me depresion pas lindjes përfshijnë:
· Ndryshim disponimi
· Probleme me gjumin
· Zemërim dhe nervozizëm
· Ndjenjë të pavlefshmërisë
· Depresion mesatar deri në depresion të thellë
· Lodhje
· E qarë e tepërt
· Pamundësia për t'u afruar me fëmijën
· Ankthi, shqetësimi dhe/ose frika
Për shumicën e nënave të reja, këto ndjenja dhe simptoma zhvillohen brenda javëve të para pas lindjes dhe mund të zgjasin deri në gjashtë muaj. Në disa raste, simptomat mund të zhvillohen në muajt para lindjes dhe ndonjëherë mund të pasohen me mendime vetëvrasjeje.
Çdo e shtata grua me depresion pas lindjes
Faqja e specializuar që monitoron dhe ndihmon gratë që përballen me këtë gjendje, PostpartumDepression.org, thotë se përafërsisht 1 në 10 deri 1 në 7 gra përjetojnë depresion pas lindjes globalisht.
Depresioni pas lindjes zgjat 3 deri në 6 muaj, megjithatë, kjo ndryshon në bazë të disa faktorëve.
Më shqetësues është vlerësimi se gati 50% e nënave me depresion pas lindjes nuk diagnostikohen dhe rrjedhimisht nuk marrin trajtimin e duhur.
Rreth 80% e grave me depresion pas lindjes arrijnë shërim të plotë.