Prodhimet kimike për drejtimin e flokëve rrisin rrezikun për kancer në mitër, tregon një studim i ri i Instituteve Kombëtare të Shëndetit.
Hulumtimet e deritanishme sugjeronin se prodhimet kimike për drejtimin e flokëve lidhen me rritjen e rrezikut për disa kancere hormonale, përfshirë kancerin e gjirit dhe të vezoreve. Ndërsa studimi më i ri, i publikuar të hënën nga revista e Institutit Kombëtar të Kancerit, tregon lidhje mes përdorimit të këtyre prodhimeve me rritjen e rrezikut edhe për kancerin në mitër.
Studimi ka ndjekur 33.497 gra amerikane të moshës 35-74 vjeç. Në 11 vjet, sa ka zgjatur studimi, rreth 4 për qind e grave që kanë përdorur prodhimet e tilla, janë diagnostifikuar me kancer në mitër para moshës 70-vjeçare. Për dallim, vetëm 1.6 për qind e grave që nuk kanë përdorur këto prodhime janë diagnostifikuar me kancerin e mitrës. Gjithsej 378 gra janë diagnostifikuar me kancer në mitër gjatë periudhës së studimit.
“Kjo shkallë e dyfishtë e kancerit te përdoruesit e këtyre prodhimeve është shqetësuese. Gjithsesi, është e rëndësishme që këto informacione të futen në kontekst – kanceri i mitrës është relativisht lloj i rrallë i kancerit”, tha Dr. Alexandra White, autore udhëheqëse e studimit.
Hulumtimi nuk ka grumbulluar të dhëna për brendet e veçanta të këtyre prodhimeve për gra. Sidoqoftë, në studim përmenden disa kimikale në përbërjen e këtyre prodhimet mund të kontribuojnë për rritjen e rrezikut për kancerin e mitrës. Mes tyre janë kimikalet si parabenë, bisfenol A, metale dhe formaldehid.
Ekspozimi ndaj kimikaleve në prodhimet për flokë, sidomos për drejtuesit e flokëve, mund të jetë më shqetësuese sesa prodhimet e tjera kozmetike, për shkak të absorbimit më të madh nga lëkura e kokës, e që mund të përkeqësohet nga djegiet dhe lezionet e shkaktuara nga drejtuesit e flokëve.
Prodhimet për drejtimin e flokëve përdoren shpesh në ShBA dhe Evropë, me mbi 50 për qind të grave që raportojnë se kanë përdorur ndonjëherë prodhime të tilla.
Kanceri i mitrës është përgjegjës për rreth 3 për qind të të gjitha rasteve të reja me kancer dhe është kanceri më i përhapur në sistemin riprodhues femëror. Mbi 400 mijë gra diagnostifikohen me këtë lloj kanceri çdo vit, ndërsa mijëra humbin jetën nga kjo sëmundje malinje.
Disa nga shkaktarët e tjerë që rrisin rrezikun për kancer në mitër janë tensioni i lartë i gjakur, diabeti, obeziteti dhe aktiviteti i ulët fizik, përdorimi i terapive të estrogjenit në trajtime fertiliteti dhe të tjera.