Për shkak të malaries në vitit 2021 në mbarë botën kanë humbur jetën 619 mijë njerëz, ndërsa të prekur nga kjo sëmundje janë 247 milionë njerëz.
Malaria transmetohet te njerëzit nga pickimi i mushkonjave femra "Anopheles" që bartin parazitin. Sëmundja, simptomat e së cilës zakonisht shihen brenda 1 muaji, mund të transmetohet edhe nga nëna te foshnja nëpërmjet gjakut, përdorimit të përbashkët të injektorëve ose gjilpërave ose gjatë lindjes nga nëna te foshnja.
Simptomat e para të malaries, në shumë vende të botës, janë të ngjashme, ato fillojnë me dhimbje koke, dobësi, dhimbje barku, lodhje, dhimbje muskujsh dhe kyçesh.
Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Malaries – 25 prilli u përcaktua si "Koha për të zhdukur malarien: Investim, inovacion, zbatim".
Mbështetur në të dhënat e "Raportit Botëror të Malaries 2022" të publikuar nga OBSh-ja në dhjetor të vitit të kaluar, në botë në vitin 2021 u zbuluan 247 milionë raste malarie dhe 619 mijë njerëz vdiqën nga sëmundja.
Në vitin 2021, kur pothuajse gjysma e popullsisë së botës ishte në rrezik nga malaria, 95 për qind e rasteve (234 milionë) dhe 96 për qind e vdekjeve (593 mijë) janë regjistruar në Afrikë.
Fëmijët nën moshën 5 vjeç, grupi më i prekur nga malaria, përbënin rreth 80 për qind të të gjitha vdekjeve nga malaria në Afrikë gjatë periudhës në fjalë.
Rreth 2 për qind e rasteve të malaries në mbarë botën u zbuluan në Azinë Juglindore, 0,2 për qind në Amerikë, 2,5 për qind në Mesdheun Lindor dhe 0,6 për qind në vendet e Paqësorit Perëndimor.
Gjysma e rasteve janë nga 4 vende
Nigeri (27 për qind), Republika Demokratike e Kongos (12 për qind), Uganda (5 për qind) dhe Mozambiku (4 për qind) janë vendet ku pothuajse gjysma e rasteve totale të malaries u regjistruan në vitin 2021.
OBSh-ja ka dhënë një “certifikatë eliminimi” në vitin 2021 për El-Salvadorin dhe Kinën, të cilat kanë reduktuar rastet e malaries në zero.
Trajtimi dhe parandalimi i malaries
Mënyra më efektive për të parandaluar zhvillimin e një rasti të lehtë të malaries në sëmundje të rëndë dhe shkaktimin e vdekjes është diagnostikimi i shpejtë dhe përdorimi i ilaçeve për malarien (antimalariake) për trajtim.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme që pacientët me malarie të marrin trajtimin e rekomanduar në institucionet shëndetësore.
OBSh-ja rekomandon vaksinën e malaries "RTS,S/AS01", e cila u miratua në tetor 2021.
Rrjetat për mbrojtje nga mushkonjat preferohen si një nga metodat më të lira dhe më efektive të mbrojtjes personale për parandalimin e malaries, veçanërisht në Afrikë.