Mjekët për 30 vjet ndoqën 11.255 persona dhe analizuan lidhjen mes niveleve të natriumit në gjak, të cilat rriten nëse marrja e lëngjeve reduktohet, dhe treguesve të ndryshëm shëndetësorë.
Ata zbuluan se të rriturit me nivele të larta të natriumit kishin më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje kronike dhe të shfaqnin shenja të plakjes së avancuar biologjike sesa të rriturit me nivele mesatare të natriumit në gjak.
Gjithashtu, të rriturit me nivele të larta të natriumit janë në rrezik të shtuar për të vdekur më herët.
“Rezultatet e hulumtimit na bëjnë të konkludojmë se marrja e duhur e lëngjeve ngadalëson plakjen dhe zgjat jetën pa sëmundje”, tha Natalia Dimitrieva, autore e studimit dhe shkencëtare në Laboratorin e Mjekësisë Rigjeneruese Kardiovaskulare në Institutin e Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut.
Në këtë studim janë përdorur të dhëna për gjendjen shëndetësore të njerëzve në të 50-at e tyre dhe kur ata ishin midis 70 dhe 90 vjeç. Në total janë bërë pesë vizita mjekësore. Çdo person është ekzaminuar dy herë në moshën 50-vjeçare dhe tri ekzaminimet e tjera janë bërë në moshë të shtyrë.
Studimi nuk përfshiu njerëz që tashmë kishin nivele të larta të natriumit ose disa sëmundje serioze, siç është obeziteti.
Për të përcaktuar se si nivelet e natriumit ndikojnë në plakje, studiuesit shikuan 15 shënues të shëndetit, duke përfshirë presionin sistolik të gjakut, kolesterolin dhe nivelet e sheqerit në gjak. Kjo u dha atyre një pasqyrë në funksionimin e sistemeve kardiovaskulare, respiratore, metabolike, renale dhe imunologjike të çdo personi të monitoruar.
Janë marrë parasysh faktorë të tillë, si mosha, raca, gjinia, pirja e duhanit dhe presioni i lartë i gjakut.
Një nivel normal i natriumit në gjak është midis 135 dhe 146 miliekuivalente për litër (mEq/L).
Të rriturit me një nivel mbi 142 mEq/L kanë një rrezik 64 për qind më të lartë për të zhvilluar sëmundje kronike si dështimi i zemrës, goditje në tru, diabeti, dëmtimi i arterieve periferike, mushkërive dhe zhvillimi i demencës.