Cigaret vrasin më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit. Mbi 7 milionë nga këto vdekje janë rezultat i përdorimit të drejtpërdrejtë të duhanit dhe më shumë se 80% e 1,3 miliardë përdoruesve të duhanit në botë jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kështu thuhet në një nga raportet më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjashtë muaj më parë.
Deri tani 182 vende në botë e kanë ratifikuar Konventën Kuadër për trajtimin e pasojave negative të duhanit.
Rritja e çmimit ul konsumin e cigareve
Në po këtë raport të OBSh-së gjithashtu thuhet se të gjitha format e duhanit janë të dëmshme. Dhe se përdorimi i duhanit kontribuon në rritjen e varfërisë, sepse fondet devijohen për të blerë cigare dhe produkte të ngjashme. Nga ana tjetër, ato shkaktojnë kosto për kujdesin shëndetësor dhe trajtimin.
OBSh-ja gjithashtu zbuloi se ka më shumë se 4.000 kimikate në tymin e duhanit. Sipas OBSh-së, rritja e çmimeve dhe taksave për produktet e duhanit janë mënyra më ekonomike për të reduktuar shpenzimet e përdorimit dhe të kujdesit shëndetësor, veçanërisht tek të rinjtë dhe njerëzit me të ardhura të ulëta.
Rritjet e taksave duhet të jenë mjaft të larta për të rritur çmimet mbi rritjen e të ardhurave.
OBSh-ja thekson se një rritje prej 10 për qind e çmimeve të duhanit ul konsumin e duhanit me rreth 4 për qind në vendet me të ardhura të larta dhe rreth 5 për qind në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ku është ende e popullarizuar pirja e duhanit?
Sipas disa kërkimeve, pirja e duhanit gradualisht po i përket së shkuarës. Mirëpo, sipas të dhënave në një nga sondazhet e fundit të Statista, nuk konfirmohen këto pohime të paktën për disa vende.
Fushatat agresive nga industria e duhanit çuan në një rritje afatshkurtër të numrit të duhanpirësve, por industria e duhanit është ende e pranishme në tregjet ekzistuese.
Në Rusi, 46 për qind e të anketuarve deklaruan se pinë cigare të paktën herë pas here. Në Spanjë ky është rasti me 42 për qind të të anketuarve, ndërsa në Gjermani me 40 për qind. Më pas vijon India me 38 për qind, Kina me 37 për qind, Shtetet e Bashkuara me 37 për qind dhe Kanadaja dhe Britania e Madhe me 30 për qind të të anketuarve që janë përgjigjur se pinë cigare të paktën herë pas here.