Si rrezikojnë të rinjtë dëmtimin apo humbjen e plotë të dëgjimit?     Foto: TRT Balkan

Me kufje nëpër shtëpi, të rinjtë luajnë lojëra online ose kënaqen me ndonjë muzikë. Njerëzit mbajnë kufje në veshë derisa ecin, vrapojnë apo vozisin biçikletë rrugës për në shkollë ose në punë. Ky është përfytyrimi i përditshmërisë edhe tek të rinjve në rajon, të cilët duke jetuar në epokën e teknologjisë moderne përdorin vazhdimisht kufjet.

Por kjo ka edhe pasoja. Në botë pothuajse 50 për qind e të rinjve 12 deri në 35-vjeç apo 1.1 miliardë të rinj janë në rrezik të humbjes së dëgjimit për arsye të ekspozimit të zgjatur dhe të tepruar të tingujve të lartë, përfshirë muzikën që ata dëgjojnë përmes audio pajisjeve.

Hulumtimet tregojnë se humbja e dëgjimit tek të rinjtë në dy dekadat e fundit është dyfishuar dhe se të rinjtë kanë 15 për qind më shumë dëgjim të dëmtuar se prindërit e tyre.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) në fillim të vitit 2019 shpallën një standard të ri ndërkombëtar për prodhimin dhe përdorimin e këtyre pajisjeve, që përfshijnë telefonat e mençur dhe audio pajisjet, me qëllim për t’i bërë ato më të sigurta për t’u përdorur.

“Duke pasur parasysh se ne kemi njohuritë teknologjike për të parandaluar humbjen e dëgjimit, nuk duhet të ndodhë që kaq shumë të rinj të vazhdojnë ta dëmtojnë dëgjimin derisa dëgjojnë muzikë”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.

Sipas tij, të rinjtë duhet të kuptojnë se pasi të humbasin dëgjimin nuk do të mund ta kthejnë atë.

Standarti i ri i OBSH-së dhe i ITU-t garanton shefin e OBSH-së se do të bëjë shumë që në mënyrë më të mirë të mbrojë të rinjtë.

Gati gjysmë miliardë njerëz kanë dëgjim të dëmtuar.

Mbi 5 për qind e popullsisë së botës ose 466 milionë njerëz kanë dëgjim të humbur (432 milionë të rritur dhe 34 milionë fëmijë), gjë që ndikon shumë në cilësinë e jetës së tyre.

Të dhënat e OBSH-së tregojnë se shumica e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Vlerësohet se deri në vitin 2050 më shumë se 900 milionë njerëz, respektivisht një në dhjetë persona do të kenë dëgjim të humbur.

Karakteristikat e pajisjeve të sigurta të dëgjimit

Standardi OBSH-ITU për pajisje dhe sistem të sigurt të dëgjimit rekomandon që audio pajisjet personale të përfshijnë një “funksion për zërin e lejuar”. Bëhet fjalë për një softuer që monitoron nivelin dhe kohëzgjatjen e ekspozimit të përdoruesit ndaj zërit si përqindje e përdorur nga ekspozimi referues.

Standardi rekomandon një profil dëgjimi të personalizuar bazuar në praktikat e dëgjimit të përdoruesit, i cili informon përdoruesin për atë sa sigurt ose jo ka dëgjuar diçka dhe jep shenja veprimi bazuar në këtë informacion.

Opsionet e kufizimit të volumit po ashtu janë ndër rekomandimet e OBSH-së dhe ITU-t. Opsionet e kufizimit të volumit përfshijnë uljen automatike të volumit dhe kontrollin prindëror të volumit.

Standardi për pajisjet e sigurta të dëgjimit u zhvillua nga ekspertët e OBSH-së dhe të ITU-t gjatë një procesi dy-vjeçar bazuar në provat dhe konsultimet me disa palë të interesuara, përfshirë ekspertë nga qeveritë, audio industria, konsumatorët dhe nga shoqëria civile.

OBSH rekomandon që qeveritë dhe prodhuesit të miratojnë standardin vullnetar OBSH-ITU.

Ekzaminimet e mëparshme mjekësore tregojnë se dëgjimi i dëmtuar ka shenjat e veta të dalluara, ndër të cilat janë zhurmat, paaftësia e ekuilibrit, shurdhimi i lehtë që krijon probleme në komunikimin me zë, veçanërisht në një hapësirë ku ka zhurmë. Njerëzit me dëgjim të dëmtuar shpesh ballafaqohen me zhurma në veshët e tyre, por edhe me shtrembërim të zërit.

Si të mbroni dëgjimin?

Mjekët otorinolaringologë rekomandojnë disa këshilla për të mbrojtur dëgjimin tuaj, ndërsa ndër më të rëndësishmet është që të jeni të kujdesshëm që të mos ekspozoheni ndaj tingujve më të mëdhenj se 85 decibel. Nëse patjetër duhet të ekspozoheni ndaj zhurmës, atëherë bëni një pushim “të qetë” çdo 15 minuta. Përdorimi i mjeteve mbrojtëse për veshët, që mund të blihen në farmaci, ndihmojnë për të mbrojtur dëgjimin tuaj.

Një nga rekomandimet është që nëse dëgjoni muzikë me kufje mos e ngrini volumin më shumë se 60 për qind të nivelit maksimal. Qëndrimi pranë altoparlantëve ose amplifikatorëve po ashtu ndikon në dëmtimin e dëgjimit.

Ndër të tjera, me rëndësi është t’i kushtohet vëmendje infeksioneve të veshit, për të cilat këshilloheni që menjëherë të kërkoni ndihmë mjekësore.

TRT Balkan