Pesë miliardë njerëz të pambrojtur nga yndyrat e dëmshme për zemrën / Foto: Reuters

Pesë miliardë njerëz në mbarë botën mbeten të pambrojtur nga yndyrat e dëmshme, tregon raporti i ri i OBSh-së. Këto yndyra karakterizohen si të rrezikshme, pasi shkaktojnë sëmundje të zemrës dhe vdekje.

Që kur OBSh-ja bëri thirrje për eliminim global të yndyrave të prodhuara industrialisht në vitin 2018 – me qëllim për eliminim të plotë deri në vitin 2023 – është 6-fishuar adoptimi i praktikave më të mira nga shtetet. Dyzet e tri shtete kanë implementuar praktikat më të mira për luftimin e yndyrave të dëmshme, duke vënë nën mbrojtje 2.8 miliardë njerëz.

Përkundër progresit thelbësor, akoma mbeten rreth 5 miliardë njerëz në rrezik nga ndikimi i madh i këtyre yndyrave mbi shëndetin. Qëllimi për eliminimin e plotë të rrezikut deri në vitin 2023 mbetet i paarritshëm.

Yndyrat e prodhuara industrialisht gjenden në ushqime të paketuara, prodhime të pjekura, vajra gatimi dhe të tjera. Konsumimi i yndyrave industriale është përgjegjës për mbi 500.000 vdekje të parakohshme nga sëmundjet koronare të zemrës në mbarë botën.

“Yndyrat industriale nuk kanë ndonjë dobi të njohur, ndërsa rreziku mbi shëndetin është shumë i madh. Yndyrat industriale janë kimikale toksike që vrasin, prandaj nuk duhet të kenë vend në ushqime. Është koha që t’i heqim qafe njëherë e përgjithmonë”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Aktualisht, 9 nga 16 vendet me numrin më të madh të vdekjeve nga sëmundjet koronare të zemrës, të shkaktuara nga marrja e yndyrave industriale, nuk kanë adoptuar politikat e praktikave më të mira. Ato janë Australia, Azerbejxhani, Bhutani, Ekuadori, Egjipti, Irani, Nepali, Pakistani dhe Republika e Koresë.

Praktikat më të mira të politikave për eliminimin e yndyrave industriale, të përpiluara nga OBSh-ja, kufizojnë yndyrat industriale në të gjitha aspektet. Ekzistojnë dy alternativa të politikave të praktikave më të mira: 1) kufiri kombëtar i detyrueshëm prej 2 gramë yndyrë të prodhuar në mënyrë industriale për 100 gramë yndyrë totale në të gjitha ushqimet; dhe 2) ndalimi kombëtar i detyrueshëm për prodhimin ose përdorimin e vajrave pjesërisht të hidrogjenizuara (një burim kryesor i yndyrës industriale) si një përbërës në të gjitha ushqimet.

“Progresi në eliminimin e yndyrave industriale është në rrezik të stagnojë, ndërsa yndyrat industriale vazhdojnë të vrasin miliona njerëz. Çdo qeveri mund të ndalojë këto vdekje të parakohshme duke miratuar politikat e praktikave më të mira tani. Qeveritë duhet të veprojnë për t'i parandaluar këto tragjedi”, tha dr. Tom Frieden, kryetar i organizatës Resolve to Save Lives.

Shumica e vendeve që kanë adoptuar politikat për eliminimin e yndyrave industriale janë vende të pasura (kryesisht në Amerikat dhe Evropë), por po rritet numri edhe i shteteve me të hyra mesatare që po implementojnë këto politika, përfshirë Argjentinën, Bangladeshin, Indinë, Paraguajin, Filipinet dhe Ukrainën.




TRT Balkan