Zjarr i madh në Osijek të Kroacisë, tymi toksik shpërndahet në rajon / Photo: Reuters

Rreth 40 minuta pas mesnate, në oborrin e ndërmarrjes së përpunimit të plastikës Drava International në periferi të Osijekut në Brijest ka shpërthyer një zjarr, në të cilin masa plastike dhe ambalazhe vazhdojnë të digjen, ndërsa dy zjarrfikës janë lënduar gjatë shuarjes.

Era e fortë gjatë natës e bëri të pamundur për zjarrfikësit e Osijekut të lokalizonin me sukses zjarrin në fabrikën e përpunimit të plastikës që ndodhet në periferi të Osijekut.

Kryetari i Osijekut, Ivan Radiq, tha se zjarri vazhdon të digjet dhe nuk pritet që shuarja e tij, me gjithë forcat e shumta të zjarrfikësve, të përfundojë para mbrëmjes. Era e fortë që fryn tymin toksik po e çon atë në jug, kështu që tashmë ka arritur në kufirin me Bosnjë e Hercegovinën fqinje, por tani për tani ajri dhe uji i pijshëm në qytetin e Osijekut janë të sigurta.

Kryekomandanti i zjarrfikësve i Republikës së Kroacisë, Sllavko Tucakoviq, tha se digjen plastika e magazinuar dhe plastika e bluar, të cilat ruhen në fabrikën e kompanisë Drava International, ku nuk janë zbatuar të gjitha masat e parapara për mbrojtjen nga zjarri.

Tucakoviq njoftoi se dy zjarrfikësit, që u plagosën lehtë, u trajtuan në spitalin e Osijekut, përfshirë edhe të gjithë zjarrfikësit që kanë shuar zjarrin mbrëmë në turnin e parë, për të konstatuar helmimin e mundshëm nga lëndët toksike që përmban tymi, gjë që, siç tha ai, nuk është konstatuar ende.

“Zjarri është ende aktiv dhe me siguri do të jetë aktiv gjatë gjithë ditës së sotme”, tha Tucakoviq.

Prefekti i qarkut Osijek-Baranja, Ivan Anushiq, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mbyllin dyert dhe dritaret. Anushiq u bëri thirrje autoriteteve të hetojnë rrethanat e zjarrit, duke theksuar se “në këtë fabrikë janë depozituar pa asnjë kontroll miliona tonë plastikë, të groposura dhe të përziera me tokën, e cila shkaktoi zjarrin mbrëmë”.

“Kjo është një situatë e rrezikshme jo vetëm për banorët që jetojnë aty pranë, por edhe më gjerë. Pasojat e këtij zjarri do të riparohen me vite, me resurse të mëdha dhe shpenzime që duhet t'i bartë pronari i këtij objekti dhe shërbimet që nuk kanë reaguar me kohë”, tha Anushiq.

Radiq ka theksuar se shkollat ​​dhe çerdhet në Osijek sot po punojnë normalisht për shkak se kushtet sipas matjeve të DHMZ-së nuk janë shqetësuese.

AA