Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pritur me ceremoni shtetërore kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili vjen për herë të parë në Kosovë.
Në konferencë për media, Kurti tha se Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim si në Këshillin e Evropës, e po ashtu edhe në Bashkimin Evropian (BE).
"Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për të diskutuar mbi marrëdhëniet tona dypalëshe për mundësitë që kemi para vetes për t’i thelluar ato, sa në rrafshin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në kulturor, politik e diplomatik", theksoi Kurti.
Kryeministri irlandez Leo Varadkar tha se Irlanda është një prej vendeve të para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa shtoi se Irlanda do ta përkrahë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet dhe të fillojë procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Kryeministri irlandez vlerësoi se masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të vendosura gjatë vitit 2023 për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, duhet të hiqen.
"Është qëndrimi i Qeverisë Irlandeze që besojmë se masat kufizuese që i janë vënë Kosovës duhet të hiqen dhe ky është një pozicion që ja kam shpalosur kryeministrit, por e kam bërë edhe zyrtarisht. Po ashtu, është shumë me rëndësi që komunat me shumicë serbe të zgjedhin kryetarët e tyre në mënyrë demokratike dhe ata të përfaqësojnë qytetarët e këtyre zonave", theksoi Varadkar.
Tutje, Varadkar ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet, por nuk duhet të ketë mikroshtet brenda Kosovës.
Në vizitën e tij në Kosovë, kryeministri irlandez do të pritet gjatë ditës edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa do të zhvillojë takim edhe me pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it.