Për çfarë e përdorin internetin evropianët?     Foto: AA

Interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe lehtë i qasshëm për secilin. Në vitin 2022, 90 për qind e njerëzve të moshës 16-74 vjeç në BE raportuan se e kanë përdorur internetin gjatë 3 muajve të fundit.

Kjo është mesatare për 27 shtetet e Bashkimit Evropian, ndërsa numrat variojnë nga 79% në Bullgari deri në 98% në Luksemburg. Përdorimi i internetit po rritet shpejt në BE gjatë viteve të fundit – në vitin 2010 mesatarja ishte 67%, ndërsa në vitin 2015 ishte 78%.

Gjatë vitit që po lëmë pas, interneti u përdor kryesisht për komunikim me të tjerët. Ja pesë gjërat për të cilat është përdorur më së shpeshti interneti gjatë vitit 2022:

Dërgimi/pranimi i e-maileve (77%)

Komunikimi me mesazhe të shpejta (72%)

Kërkimi i informacionit për prodhime dhe shërbime (70%)

Telefonata ose video-biseda (66%)

Shikimi i videove ose internet TV-së (65%)

Shumica e njerëzve gjithashtu kanë përdorur internetin për leximin e portaleve (64%), për bankat (60%), për rrjete sociale (58%) dhe për dëgjim muzike (54%).

Pesë gjërat për të cilat më së paku është përdorur interneti në BE janë:

Pjesëmarrja në kurse onlajn

Shprehja e qëndrimeve për çështje politike ose qytetare nëpër uebfaqe/rrjete sociale

Aktivitete mësimi për qëllime private

Aktivitete mësimi për arsimin formal

Konsultime ose votim onlajn për të definuar çështje politike ose qytetare.

Çdo i dyti evropian përdor internetin për informacione shëndetësore

Gjatë vitit 2022, në nivel të Bashkimit Evropian, 52% e njerëzve raportuan se kanë kërkuar informacione shëndetësore në internet.

33% e evropianëve kanë caktuar termine në mjek nëpërmjet internetit, 24% kanë përdorur internetin për qasje në të dhënat personale shëndetësore onlajn, ndërsa 18% raportojnë se kanë kërkuar shërbime alternative shëndetësore onlajn në vend që të detyrohen të shkojnë në spital ose te mjeku.

Ndër vendet anëtare, Finlanda regjistroi përqindjen më të lartë të njerëzve që shfrytëzojnë internetin për aktivitete që lidhen me shëndetin, me 81% të njerëzve që kërkojnë informacione shëndetësore në internet.

Finlanda ndiqet nga Holanda (78%) dhe Qipro (73%) për numrin e njerëzve që kërkojnë informacione shëndetësore në internet.

Nga ana tjetër, përqindja më e vogël e njerëzve që kërkojnë informacione shëndetësore onlajn është në Rumani (29%), Gjermani (37%) dhe Bullgari (39%).

TRT Balkan