Ambasada e ShBA-së në BeH, reagon për shënimin “Ditës së Republikës Srpska”      / Foto: AA

Ambasada e Amerikës në Bosnjë e Hercegovinë është deklaruar lidhur me festimin e 9 janarit, ditës antikushtetuese të etnitetit Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

"Në disa nga vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës theksoi qartë se festimi i ditës së Republika Srpskas më nëntë janar është antikushtetuese. Problemi nuk qëndron në festimin e festës, por në vendimin për të festuar më nëntë janar. Ndërlidhja e asaj feste me një festë fetare ortodokse kundërshton disa dispozita të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës që ndalojnë diskriminimin. Kjo është çështje e ligjit, jo mendimi i dikujt", thonë nga Ambasada e ShBA-së në Sarajevë në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

Ata deklaruan se neni III (3) i Kushtetutës së Dejtonit përcakton që subjektet duhet të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të BeH, duke përfshirë gjykimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të BeH.

"Sipas Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës, mosbindja e gjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës është një vepër penale. Dhe kjo është çështje e ligjit, jo mendimi i dikujt", thuhet në njoftim.

Siç u theksua më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që zbatimi i ligjit përkatës dhe institucionet gjyqësore të kryejnë një hetim për çdo shkelje të ligjit që lidhet me festimin e Ditës së Republika Srpska në 9 janar.

"Shtetet e Bashkuara kanë reaguar ndaj veprimeve anti-Dejton më parë dhe nuk do të hezitojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen", thuhet në përbyllje të komunikatës së Ambasadës së ShBA-së. Ndryshe, dje dy avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore të ShBA-së zhvilluan një stërvitje dypalëshe tokësore me ekipe JTAC nga Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane dhe Forcat e Armatosura të Bosnjës e Hercegovinës në zonën e Tuzlës dhe Brçkos.

TRT Balkan / agjencitë