Njohës të politikave dhe procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë nuk presin ndonjë rezultat konkret nga takimi i kësaj jave më 18 gusht në Bruksel midis kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Një vjet nga takimi i fundit i nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiq, palët pritet të diskutojnë për uljen e tensioneve të ngritura së fundmi midis dy vendeve.
Arifi: BE e papërgatitur për takim serioz
Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), profesori universitar i shkencave politike, Dritero Arifi, shprehet i rezervuar se nga takimi i kësaj jave do të ketë ndonjë rezultat të madh për faktin se, siç thotë ai, “Bashkimi Evropian (BE) nuk është përgatitur për një takim kaq serioz, pra vetëm e ka ftuar takimin që në njëfarë mënyre ta krijojë një fotografi se paqja dhe negociatat po vazhdojnë dhe se dy shtetet e kanë një raport të mirë”.
“Në fakt, raporti i dy shteteve nuk është i mirë. Serbia është destabilizuese në gjithë rajonin, sidomos në veri të Kosovës, ku në njëfarë mënyrë i ka instrumentalizuar serbët e veriut që të propagandojë politikat e veta destruktive karshi Kosovës. Andaj, nuk pres nga ky takim asgjë. Nëse do të ketë diçka pozitive mund të jetë pranimi në parim i marrëveshjes për të pagjeturit, nëse kjo arrihet do të ishte një fitore e madhe për Kosovën, nëse jo, do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm me nga një apo dy takime në vit pa arritur asgjë pikërisht, sepse BE-ja apo lehtësuesi i këtij dialogu nuk është treguar shumë serioz”, thotë Arifi.
Gogiq: Amerikanët presion ndaj Beogradit
Nga ana tjetër, politologu serb Ognjen Gogiq, duke folur për AA tha se pret që amerikanët do të bëjnë presion si ndaj Beogradit ashtu edhe Prishtinës për të arritur një lloj marrëveshjeje në takimin e ardhshëm në Bruksel në nivelin më të lartë, ashtu siç bënë presion në fund të muajit korrik të këtij viti, gjë që ndaloi përshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës.
Gogiq beson se amerikanëve nuk u pëlqen destabilizimi i situatës në Ballkan dhe nuk u përshtatet një kaos në veri të Kosovës, sepse kjo, sipas tij, do t'u hapte “derën” rusëve që të ndërhyjnë në këtë pjesë.
“Situata është shumë e tensionuar sepse pala prishtinase është pajtuar që të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për një muaj, por, asnjëra palë nuk ka treguar gatishmëri për të ndryshuar qëndrimet e saj. Të dyja palët janë ende shumë radikale, sidomos në deklaratat që bëjnë dhe është një përshkallëzimin verbal që po ndodh. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq madje mundohen ta kalojnë njëri-tjetrin në skajshmërinë e deklaratave të tyre”, thotë Gogiq.
Pikërisht për uljen e tensioneve midis të dyja vendeve, një ditë para takimit Kurti-Vuçiq, më 17 gusht, me takime të ndara do t’i takojë dy liderët ballkanas edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Janjiq pret “shumë pak” nga takimi midis liderëve
I pyetur se çfarë pret nga takimi mes Vuçiqit dhe Kurtit në Bruksel më 18 gusht, kryetari i Bordit të Drejtorëve të Forumit për Marrëdhëniet Etnike në Serbi, Dushan Janjiq Janjiq tha për AA se duke gjykuar nga atmosfera rreth këtij takimi ai pret “shumë pak” dhe se sipas deklaratave nga Brukseli është e qartë se ka shumë tema, se nuk është e qartë se cila është tema kryesore dhe se gjithçka po rrotullohet në rreth.
“Tema e sigurisë ka ardhur në rend dite. Është një mundësi për Beogradin dhe Prishtinën. Është një mundësi për Beogradin që të ngrejë çështjen e një pakete të sigurisë që aktualisht nuk ekziston”, tha Janjiq, duke shtuar duhet ofruar bashkëpunim të institucioneve të Kosovës, Serbisë dhe NATO-s në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe sigurisë së përgjithshme të njerëzve.
Siç tha ai, Brukseli e ka shmangur vënien e kësaj teme në rend dite dhe nëse humbet mundësia aktuale që Beogradi ta vendosë këtë temë, sipas mendimit të Janjiqit, mund të pritet temë tjetër tensionesh edhe pas 18 gushtit.
Duke folur për ndodhitë (situatën) në Kosovë, të cilën e ka vizituar së fundmi, Janjiq tha se serbët e Kosovës nuk do ta ndjekin politikën e Vuçiqit nëse kjo do të çojë në përshkallëzim të mëtejmë dhe se Lista Serbe ka humbur reputacionin e saj.
16 Gus 2022
Analistët skeptik nga takimi Vuçiq-Kurti në Bruksel
Një vjet nga takimi i fundit i nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiq, palët pritet të diskutojnë për uljen e tensioneve të ngritura së fundmi midis dy vendeve.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore