Anulohen disa fluturime në Kosovë për shkak të mjegullës. / Foto: AA Archive

Për shkak të mjegullës, disa fluturime janë anuluar sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se aeroporti është funksional 24/7, falë sistemit të avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte mjegulle të dendur, me dukshmëri minimale prej 50 metrash.

Aliu theksoi se fluturimet që janë realizuar me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa 12 fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar. Ai gjithashtu bëri me dije se 46 fluturime janë realizuar pa probleme, ndërsa 12 të tjera janë anuluar.

“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë gjithë kohës, falë teknologjisë moderne që mundëson aterrime edhe në kushte të vështira. Fluturimet me pilotë të certifikuar kanë aterruar pa ndonjë problem, ndërsa ato që nuk kanë pasur certifikimin e duhur janë anuluar ose devijuar”, ka shkruar Aliu në Facebook.

TRT Balkan / agjencitë