AShAK mban konferencë shkencore mbi gjenocidin serb në Kosovë.     /Foto: AA

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka mbajtur konferencën shkencore "Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë (1998-1999)", me objektiv themelor dëshminë e të vërtetës shkencore dhe historike për gjenocidin, masakrat dhe dhunën e Serbisë.

Sipas ASHAK-ut, konferenca u organizua me qëllim të dëshmisë "që këto veprime të mos përsëriten kurrë dhe që kryerësit e këtyre masakrave të përgjigjen para drejtësisë për veprat monstruoze të tyre si parakusht themelor për paqe, siguri dhe stabilitet në këtë pjesë të Evropës".

Kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja tha se punët e akademisë në këtë aspekt deri tani kanë "mbetur në nivel amator".

"Ne tani duhet të zbresim nga interpretimi folklorik i masakrave dhe gjërat t'i vendosim në rrafshin juridik, të bëjmë dosje juridike me dëshmi të qëndrueshme për ndëshkimin e shkaktarëve dhe ushtruesve të gjenocidit dhe në kompensimin e viktimave", theksoi Kraja.

Ai tha se përveç akademisë, gabime kanë bërë edhe partitë politike në vend, duke përfshirë edhe themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë e cila u formua nga politikanë në Kosovë.

Akademik Isa Mustafa tha se konferenca mbi gjenocidin dhe masakrat serbe në Kosovë është përgatitur nga seksioni i shkencave shoqërore të AShAK-ut, derisa tha se objektivi themelor i konferencës është dëshmia shkencore dhe historike e gjenocidit, masakrat dhe dhunës së Serbisë.

Mustafa tha se Serbia shkatërroi strukturën shoqërore në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe përmes mbylljes së shkollave shqipe.

"Dëbimi me forcë, ekzekutimet masive, masakrat e përcjella me ç’humanizim të viktimave, torturat, dhunimet seksuale, pastrimi i identitetit ishin vetëm disa nga veprimet e forcave serbe që lanë pas vetes shumë viktima njerëzore, shtëpi e fshatra të shkatërruara ndërmjet viteve 1998-1999", theksoi ai.

Në konferencë u transmetua edhe një video e cila u bë në bashkëpunim me televizionin publik të Kosovës e titulluar "Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 në kujtesën e të mbijetuarve".

Në këtë video e cila zgjati rreth 20 minuta, u shfaqën rrëfime të familjarëve të viktimave, përfshirë prindër dhe fëmijë, të cilët rrëfyen për krimet makabre të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë mbi viktimat shqiptare të luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999 llogaritet se janë vrarë mbi 13 mijë njerëz duke përfshirë 1.230 fëmijë. Sipas dokumenteve amerikane nga Kosova gjatë periudhës së luftës po ashtu u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre nga forca ushtarake dhe policore të Serbisë më shumë se 1.5 milionë banorë apo 90 për qind e popullatës së saj.

AA