Balla: Bashkëpunimi rajonal është forcuar në linjë me Procesin e Berlinit / Photo: AA

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian të Shqipërisë (KKIE) ka organizuar takimin me temë “Ecuria e reformave në kuadër të Procesit të Berlinit”, ndërkohë të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, në fjalën e tij u fokusua në angazhimin e ministrisë që ai drejton mbi ecurinë e reformave në vend, flukset migratore, luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe çështje të tjera.

Balla theksoi se bashkëpunimi rajonal me mbështetjen e Bashkimit Evropian ka vijuar të forcohet në linjë me angazhimet e Procesit të Berlinit.

"Sa i përket përballjes me flukset migratore dhe angazhimit të Qeverisë shqiptare dhe të agjencive ligjzbatuese shqiptare, Bashkimi Evropian vlerëson Shqipërinë si një vend model sa i përket qasjes që ka pasur në përballimin e flukseve migratore", tha Balla.

Balla u shpreh se sa i përket Ministrisë së Brendshme, mbetet objektiv strategjik goditja e të gjitha formave të veprimtarive kriminale. Sipas tij, gjatë vitit të fundit Policia e Shqipërisë ka ndërmarrë 1.251 operacione kombëtare.

"Po përdorim dronët Bayraktar për të monitoruar të gjithë territorin, me fokus luftën kundër veprimtarive të paligjshme në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike, por edhe në fusha të tjera, përfshirë krimet mjedisore", tha Balla.

Ai shtoi se për të mbetet objektiv kryesor jo administrimi i ngjarjeve kriminale, por parandalimi i ngjarjeve kriminale.

Kujtojmë se Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

KKIE-ja është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, që nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.


AA
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj