Bashkimi Evropian (BE) dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër kontrabandës së armëve të zjarrit, të cilin e ka rikthyer në agjendë pas ngjarjeve në Serbi.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisarja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, folën në takimin e nivelit të lartë mbi zbatimin e planit të veprimit të BE-së kundër kontrabandës së armëve të zjarrit në Evropën Juglindore.
Borrell dhe Johansson shprehën shqetësimin e tyre, duke iu referuar dy sulmeve të armatosura në Serbi ku humbën jetën 18 persona në një javë.
Duke theksuar se është e nevojshme të luftohet përhapja e armëve të zjarrit në mënyrë që incidente të tilla të mos ndodhin më në Evropë, Borrell tha: "Si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, ne jemi të detyruar të luftojmë për të parandaluar përhapjen e dhunës në kontinentin evropian".
Borrell tha se kapacitetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për zbulimin dhe hetimin janë forcuar, duke iu afruar standardeve të BE-së në luftën kundër kontrabandistëve dhe duke shmangur keqpërdorimin e armëve të zjarrit.
Johansson tha se në Serbi është organizuar një fushatë amnistie për armët me një iniciativë të mbështetur nga BE-ja dhe në këtë fushë janë dorëzuar 9.400 armë dhe afërsisht 900 mjete shpërthyese.
Ajo theksoi se më shumë se 22 mijë armë zjarri, më shumë se 750 mijë municione dhe 2.400 eksplozivë janë sekuestruar në 4 vitet e fundit në 6 vende të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbi. Johansson tha se janë shkatërruar më shumë se 15 milionë predha.