Bashkimi Evropian ka dalë sërish me deklaratë lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, që do të hyjë në fuqi sot, duke i kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar sot, BE-ja shprehu shqetësimin e saj lidhur me këtë vendim.
“BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në reagimin e BE-së.
Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, sipas BE-së, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre.