Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës do të hyjë në fuqi nesër.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis. Bislimi theksoi se janë të përkushtuar që periudhat eventuale tranzitore të sigurojnë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, lehtë dhe pa dëmtime.
“Ka një sërë brengash që ndërlidhen me ndikimin që zbatimi i Rregullores mund të ketë tek ata qytetarë që kanë pranuar transferi nga Republika e Serbisë përmes strukturave ilegale që kanë operuar dhe vazhdojnë të operojnë kundërligjshëm në treg si dhe ndikimin që mund të ketë kjo Rregullore për ato biznese që për vite me radhë kanë kryer transaksione në dinar e të cilat nuk kanë mundur të regjistrohen në sistemin e llogarive kombëtare e as tatimore nga ATK-ja”, tha Bislimi.
Bislimi tha se java e kaluar është përcjell me një sërë takimesh reagimesh, e kërkesash dhe po ashtu ka qarkulluar një mori keqinterpretimesh të mesazheve kryesore që kanë dalë nga këto takime.
“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, e sidomos kjo vlen për miqtë tanë ndërkombëtarë nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores të miratuar nga BQK-ja. Nuk e vë në dyshim as faktin që BQK-ja është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend. Nuk e vë në dyshim që në gjithë këtë proces BQK-ja është institucion i pavarur dhe që në këtë dizajnim të politikave monetare, BQK-ja i nënshtrohet vetëm Kushtetutës sonë dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare që rregullojnë sistemin e pagesave. Nuk e kontestojnë që euroja ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim”, deklaroi Bislimi.
Sipas Bislimit, e vetmja brengë e partnerëve ndërkombëtarë ka të bëjë me “domosdoshmërinë që përshtatjen eventuale të operimit nën ombrellën e re të rregullave, ata qytetarë që kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë transfere nga Republika e Serbisë, të kenë pak më shumë kohë në dispozicion dhe të jenë të informuar më mirë”.