Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se masat e miratuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë nuk mund të hiqen për shkak të paqartësive të brendshme në BE, edhe pse Kosova ka përmbushur kushtet themelore për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.
Duke dorëzuar një raport para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, Bislimi tha se, sipas letrës së dërguar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, masat janë të përkohshme dhe të kthyeshme, por se heqja e tyre ende nuk ka ndodhur.
Ai përkujtoi se masat nga qershori 2023 pasuan përshkallëzimin e situatës në veri të vendit, kur demonstruesit sulmuan KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët. Siç tha ai, ekzistonte bindja se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për të deeskaluar situatën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se Kosova ka përmbushur kushtet themelore të dakorduara me të dërguarin special të BE-së për Dialog Miraslov Lajçak në Bratislavë korrikun e kaluar, të cilat kanë të bëjnë me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale, dhe se është miratuar Udhëzimi Administrativ, i cili hap rrugën për zgjedhje të reja lokale në katër komuna në veri të Kosovës.
“Ka gjasa që brenda shteteve anëtare të ketë paqartësi se cili është mekanizmi për heqjen e masave, por ka edhe presion dhe zhgënjim te disa shtete anëtare se është e mundur që Kosova të jetë nën masa vetëm sepse ka dërguar kryetarë komunash në veri që fituan në zgjedhjet legjitime, ndërsa Serbia nuk ka masa edhe pas agresionit terrorist që bëri në Banjskë, afër Zveçanit, me fjalë të tjera, ka një qasje krejtësisht të pabalancuar të Bashkimit Evropian dhe një qasje që ka i ka shkaktuar dëm vendit tonë”, tha Bislimi.
Bislimi tha se masat vlejnë vetëm për takimet e nivelit të lartë, ndërsa takimet e tjera vazhdojnë dhe këtë të martë dikush nga Brukseli do të jetë sërish në Prishtinë.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se procesi i dialogut ka të bëjë me procesin integrues të vendit bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por ajo që kërkon Kosova është që të trajtohet si palë e barabartë në dialog.
Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë, ndër të tjera, pezullimin e punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, programin e fondeve IPA, përjashtimin e Kosovës nga ngjarjet e nivelit të lartë në kuadër të BE-së dhe vizitat dypalëshe.