Bregu: Në fuqi reduktimet e roaming-ut BE-Ballkani Perëndimor.     /Foto: Reuters Archive

Në një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit rajonal dhe komunikimit celular të përballueshëm, ka hyrë në fuqi zyrtarisht ulja e kostove të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, e nënshkruar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, më 6 dhjetor 2022, duke shënuar 1 tetorin 2023 si datë ndryshimi, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu.

Sipas Bregut, pas gati një viti punë të përbashkët, nën ombrellën lehtësuese dhe mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Komisionit Evropian, dhe me mbështetjen politike nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, operatorët e telekomunikacionit nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian, jo vetëm kanë përmbushur kërkesat e deklaratës, por, në shumë raste, kanë tejkaluar pritshmëritë.

“Nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB roaming të të dhënave brenda ofertave dhe paketave speciale, në përputhje me Deklaratën e Roamingut, nuk duhet të kalojë 18 EUR, duke e bërë udhëtimin dhe komunikimin ndërkombëtar me kosto më të vogël. Në shumë raste kufiri i çmimit prej 18 euro brenda ofertave dhe paketave speciale shkon edhe shumë më i ulët, deri në 1,6 euro për 1 GB, ndërkohë që tre operatorë të Ballkanit Perëndimor, krahas çmimeve të paketave, ulën edhe çmimet e rregullta ‘pay-as-you-go’”, thotë Bregu në komunikatën e saj për media.

Ajo thekson se një shpallje të tillë kishte dhënë një vit më parë me fjalët “çmimet e roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” do të bien me gjethet e vjeshtës”.

“Ky zhvillim historik tashmë po riformëson peizazhin e të dhënave celulare për qytetarët dhe udhëtarët. Suksesi i Deklaratës për Roaming BE-Ballkani Perëndimor është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit rajonal, duke e transformuar komunikimin për mirë, edhe përballë sfidave komplekse. Ky moment historik vjen mes tensioneve politike, betejave ekonomike dhe spektrit në rritje të ndryshimeve klimatike në rajon, duke përforcuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik. Teksa festojmë këtë arritje, ne njohim përkushtimin e të gjitha palëve të përfshira, veçanërisht operatorëve të telekomunikacionit dhe presim me padurim një të ardhme më të lidhur, më të aksesueshme dhe më të përballueshme për të gjithë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e KBR-së, Majlinda Bregu.

Modaliteti ‘pay-as-you-go’, siç njoftoi Bregu, do të thotë se nuk duhet të blesh asnjë paketë, veçanërisht për udhëtime të shkurtra ku nevojiten dukshëm më pak se 1 GB, kështu që kostoja e komunikimit gjatë udhëtimit në BE mund të jetë si shumë më pak se çdo paketë dhe ndoshta edhe e llogaritur në centë, pothuajse si ajo në shtëpi.

TRT Balkan