Bullgaria ka deportuar të enjten Vassian Zmeevin, përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Ruse në Bullgari, dhe dy kolegë të tij, të cilët ishin shtetas bjellorusë.
Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare (DANS) në komunikatën e saj tha se të tre personat kryenin veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe interesave të Bullgarisë.
"Kemi mbledhur të dhëna për veprimet e këtyre personave në lidhje me zbatimin e elementeve të ndryshme të strategjisë hibride të Federatës Ruse që synojnë ndikimin e qëllimshëm në proceset socio-politike në Republikën e Bullgarisë për interesat gjeopolitike ruse", thuhet në komunikatë.
Atyre u janë anuluar lejet e qëndrimit dhe u është ndaluar hyrja në vend për pesë vjet.
Bjellorusia shihet si një nga aleatët kryesorë të Rusisë, veçanërisht në mes të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, tashmë gati 19-muajshe.
Ambasadorja e Rusisë në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, e dënoi hapin dhe tha se tre klerikët u deportuan duke u futur në një automjet në të cilin transportoheshin kontrabandistët.
"Nuk ka asnjë precedent për një praktikë të tillë. Kisha është e ndarë nga shteti. Si mundet kleri të kërcënojë sigurinë kombëtare? Është e pamundur të kuptohet. Tekstualisht, na pështynë në fytyrë", tha ajo.
Zmeev kishte pesë vjet që përfaqësonte Kishën Ortodokse Ruse në kryeqytetin Sofje. Vitin e kaluar, patriarku rus Kirill (Ciril) shtoi Maqedoninë e Veriut në zonën e përgjegjësisë së Zmeevit.
Javën e kaluar, Maqedonia e Veriut shpalli person "non grata" Zmeevin dhe tre diplomatë rusë që punonin në Ambasadën e Rusisë në Shkup.