Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë miratoi sot pa asnjë diskutim një deklaratë në të cilën “dënohen manifestimet antibullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Deklarata u mbështet nga 185 deputetë, ndërsa një abstenoi, transmeton agjencia shtetërore e lajmeve BTA.
Në parlament janë dorëzuar katër draft-deklarata, nga GERB-SDS, “Vazhdojmë me ndryshimet”, “Bullgaria Demokratike” dhe “Rilindja”, në bazë të të cilave është përgatitur dhe votuar drafti i përbashkët i propozuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme.
Në deklaratën e miratuar, Parlamenti bullgar dënon “manifestimet dhe thirrjet për dhunë ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, organizatave dhe klubeve të tyre, e veçanërisht ofendimin e rëndë ndaj bullgarit Hristijan Pendikov” dhe kërkon që të gjitha institucionet të marrin masa sistematike për t'i zbuluar autorët dhe t'i nxjerrin para drejtësisë.
Kuvendi Popullor shpreh gjithashtu “kundërshtimin e moszbatimit të përhershëm të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut të vitit 2017 dhe protokolleve dypalëshe nga takimet e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar nga neni 12 të vitit 2019 dhe 2022”.
Deklarata shpreh gjithashtu shqetësimin se "përshkallëzimi i fushatës antibullgare në Maqedoninë e Veriut mund të kërcënojë procesin e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e vendit, si dhe zhvillimin e proceseve e institucioneve demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian, gjë që u shërben interesave të palëve të treta”.
Ky vendim i Kuvendit të Bullgarisë vjen vetëm dy ditë para kremtmit të përvjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, një figurë historike për të cilën Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria zhvillojnë diskutime mbi kombësinë e tij.