Cilat shtete evropian janë ushtarakisht neutrale     Foto:TRT Balkan 

Suedia dhe Finlanda janë ndër vendet e rralla në Evropë, të cilat për arsye të ndryshme gjatë historisë, nuk kanë qenë pjesë e aleancave ushtarake dhe nuk kanë marrë anë në konfliktet ushtarake. Ata kanë pasur prej kohësh marrëdhënie partneriteti me NATO-n dhe kanë qenë pjesë e disa misioneve. Konflikti ruso-ukrainas ishte arsyeja pse të dy vendet bënë një lëvizje për t'u bashkuar me Aleancën.
Në Bruksel ka një disponim për pranimin e Suedisë dhe Finlandës edhe pas një procedure të shkurtuar. E gjithë kjo shkakton nervozizëm në Moskë. Reagimet fillestare nga Rusia janë se ajo nuk do të vëzhgojë në mënyrë pasive. Reagoi edhe Türkiye ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Suedia dhe Finlanda e anashkaluan neutralitetin dhe aplikuan për t'u bashkuar me NATO-n në maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Por Türkiye, një anëtare prej kohësh e Aleancës, ka ngritur kundërshtime ndaj kërkesave të anëtarësimit, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe mbështetjen e organizatave terroriste PKK dhe FETO.
Përpara një samiti të NATO-s javën e kaluar, Türkiye, Suedia dhe Finlanda nënshkruan një marrëveshje pas bisedimeve katërpalëshe në Madrid, të cilat përfshinin NATO-n.
Marrëveshja i lejon vendet nordike të bëhen anëtarë të NATO-s, por kërkon që ato të ndërmarrin hapa për të adresuar shqetësimet e Türkiye për terrorizmin dhe për të hequr një embargo të armëve ndaj Ankarasë.
Pas takimit, NATO ftoi zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën për t'u bashkuar me aleancën ushtarake prej 30 anëtarësh.
Në vijim, arsyet e mosmarrjes së anës dhe neutraliteti ushtarak tw Suedisë dhe Finlandës, si dhe marrëdhëniet me NATO-n e disa prej vendeve evropiane që nuk janë ende pjesë e Aleancës.
Konfliktet finlandeze-ruse gjatë historisë
Finlanda ka një histori të gjatë konfliktesh me BRSS. Më të rëndësishmet nga 1939 deri në 1940 dhe nga 1941 deri në 1944. Në disa nga luftërat, Finlanda mori pjesë si pjesë e Mbretërisë së Suedisë. Pikërisht konflikte të tilla me ish-BRSS në kohën e Stalinit, kur Finlanda humbi nëntë për qind të territorit të saj, ishte një nga arsyet kryesore pse ky vend gjatë historisë vendosi të ishte neutral. Kufiri i Finlandës me Rusinë e sotme është 1340 kilometra i gjatë.
Më 18 maj të këtij viti, Finlanda paraqiti një kërkesë për pranim në aleancën më të fuqishme ushtarake.

Suedia për herë të parë nga viti 1939 dërgoi ndihmë ushtarake
Suedia deri më tani ka refuzuar të bëhet pjesë e aleancave ushtarake. Ky vend nuk është përfshirë në luftë për më shumë se 200 vjet. Lufta në Ukrainë e detyroi Suedinë për herë të parë që nga viti 1939 të shkelte parimin e mos furnizimit me armë për shtetet në luftë.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO më 18 maj.

67 vjet neutralitet ushtarak austriak

Austria ka qenë ushtarakisht neutrale që nga viti 1955. Në Luftën e Dytë Botërore, nën ndikimin e Hitlerit, ajo hyri në luftë me Rusinë dhe fuqitë perëndimore. Neutraliteti I Austrisë ishte kusht që ish-BRSS të tërhiqte trupat e saj nga ky vend. Gjithashtu, kushtetuta aktuale e Austrisë ndalon anëtarësimin në aleanca ushtarake dhe praninë e trupave ushtarake të huaja në territorin e saj. Për neutralitetin e saj në këto kushte ranë dakord edhe fituesit e Luftës së Dytë Botërore, BRSS, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca.
Pavarësisht neutralitetit ushtarak, ushtarë nga Austria marrin pjesë në misionet e NATO-s

Zvicra neutrale që nga viti 1815

Edhe pse Zvicra është neutrale sot, ajo ende ka një histori të pasur ushtarake. Gjatë historisë, ushtarët e saj shpesh kanë luftuar edhe për ushtritë e huaja. Megjithatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Zvicra arriti të qëndronte neutrale kryesisht për shkak të vendimit të Hitlerit për të mos e sulmuar atë. Pozicioni gjeografik si dhe dëshira e Gjermanisë për të mos shkelur marrëveshjen tregtare me Zvicrën ishin arsyet kryesore që kjo të mos ndodhte.
Pozicioni neutral i Zvicrës u garantua në Kongresin e Vjenës në vitin1815. Statusi neutral u propozua nga Zvicra dhe fuqitë e mëdha ranë dakord me të.

Marrëdhëniet ndërfetare e diktojnë pozicionin e Irlandës

Marrëdhënia specifike midis grupeve të ndryshme fetare është arsyeja kryesore për neutralitetin ushtarak të Irlandës. Përderisa protestantët janë në favor të anëtarësimit të vendit në NATO, katolikët janë kundër aleancës ushtarake. Ky konflikt ka vazhduar që nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore. Irlanda është anëtare e Partneritetit për Paqe dhe lejon praninë e misioneve të huaja ushtarake në territorin e saj.

Moldavia, Gjeorgjia, Armenia, shtete neutrale, por partnerë të NATO-s

Kushtetutë të ngjashme ka edhe Moldavia. Në atë thuhet se e deklaron neutralitetin ushtarak të vendit. Megjithatë, është interesant fakti se në këtë vend një pjesë e popullsisë dëshiron që vendi të jetë anëtar i NATO-s, ndërsa një pjesë tjetër kultivon marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë.

Dy vende të tjera evropiane që ishin pjesë e ish-BRSS kanë një marrëdhënie specifike me NATO-n. Gjeorgjia nuk është anëtare, por ka qenë pjesë e Partneritetit për Paqe që nga viti 1994. Që nga viti 2011, Gjeorgjia ka qenë një vend aspirues për anëtarësim në NATO, por situata është bërë problematike nga prania e trupave ruse në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut.
Armenia gjithashtu nuk është anëtare e NATO-s, por është nënshkruese e Partneritetit për Paqe. Moldavia dhe Gjeorgjia janë neutrale, por partnerë të NATO-s. Bjellorusia, Azerbajxhani, Andorra, Administrata Greke e Qipros Jugore, San Marino, Malta, Monako janë në mesin e shteteve jo anëtare.

Serbia, BeH dhe Kosova - shtetet ballkanike jashtë Aleancës

Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë të vetmet vende ballkanike që nuk janë anëtare të NATO-s. Kreu aktual i shtetit në Serbi këmbëngul që të tregojë neutralitet në marrëdhëniet mes fuqive perëndimore dhe Rusisë. Ish- Jugosllavia u bombardua nga NATO në 1999 dhe kjo është arsyeja kryesore që vendi është jashtë aleancës. Serbia ishte gjithashtu kundër vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të konfliktit në Ukrainë.
Bosnja e Hercegovina është përmendur shpesh si një vend ballkanik ku konflikti me Rusinë mund të përhapet nga Ukraina. Edhe pse shumica, dmth boshnjakët dhe kroatët, janë pro anëtarësimit në NATO, serbët e Bosnjës janë kundër. Deklaratat e fundit nga Moska janë se ajo do të reagojë në përputhje me rrethanat nëse edhe Bosnja dhe Hercegovina merr rrugën e anëtarësimit në NATO. Në mars të vitit 2022, Kosova themeloi një grup punues për bashkëpunim dhe integrim më të shpejtë në NATO.

TRT Balkan