Çka ndodhi mes Kosovës dhe Serbisë pas pajtimit në Ohër? / Foto: AA

Pas takimit të fundit më 18 mars të këtij viti në Ohër, më 2 maj në Bruksel është caktuar takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mirëpo, çfarë ndodhi mes Kosovës dhe Serbisë pas takimit në Ohër, ku palët nën ndërmjetësim të BE-së pranuan që Marrëveshja e 27 shkurtit dhe zbatimi i saj nëpërmjet Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian.

Liberalizimi i vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian më 18 prill miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Një ditë më vonë, më 19 prill, u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa më 25 prill u bë botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja e saj në fuqi.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

"Liberalizimi i vizave tashmë është realitet", tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë dërguar mediave.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Mbajtja e zgjedhjeve në Veri të Kosovës

Më 23 prill në veri të Kosovës u mbajtën zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e paktë për shkak se partia Lista Serbe ka bojkotuar procesin, megjithatë Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në 2 komuna, ndërsa PDK-ja në dy të tjerat. Përkatësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicën veriore dhe në Leposaviç ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan qytetarët ia kanë ‘besuar’ PDK-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës u mbyll me 1.567 votues, pra me vetëm 3,47% të trupit votues.

Votimi demokratik në veri të Kosovës u përshëndet edhe nga ShBA-ja, ndërsa shprehën keqardhje për bojkotin e serbëve.

Lidhur me këtë kryeministri Kurti përshëndeti mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve në atmosferë të qetë, ndërsa fituesve iu uroi sukses duke i paralajmëruar se duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim.

Nga ana tjetër, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, zgjedhjet në veri paraqesin “dështimin e regjimit të Kurtit”.

Votimi në Këshillin e Evropës

Një vit pas kërkesës së Prishtinës zyrtare, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës më 24 prill miratoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm, në të cilin bëjnë pjesë 46 vende.

Dy të tretat e anëtarëve në Komitetit Ministror votuan pro anëtarësimit të Kosovës. Komiteti Ministror i Këshillit e dërgoi tani kërkesën e Kosovës për anëtarësim për diskutim dhe votim në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Në një njoftim thuhet se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t'i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës mund të realizohet brenda një viti.

TRT Balkan