Dështon zgjedhja e qeverisë së re në Bullgari.     Foto: MIA



Parlamenti bullgar sot nuk i dha besimin qeverisë teknike të propozuar nga partia e qendrës së djathtë GERB. Kandidati për kryeministër, neurokirurgu 51-vjeçar Nikollaj Gabrovski, mori mbështetjen e vetëm 113 deputetëve në parlamentin 240-anëtarësh bullgar. Kundër propozimit për Gabrovskin kryeministër votuan 125 deputetë.

Partia e ish-kryeministrit Bojko Borisov, GERB, fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2 tetorit, të cilat ishin zgjedhjet e katërta në 18 muaj, por deri tani nuk arriti të sigurojë përkrahjen e shumicës në parlament për një qeveri që do ta udhëhiqte Gabrovski.

Gjatë fjalës së tij para votimit, kandidati për kryeministër bëri një thirrje të fundit që të tejkalohen mosmarrëveshjet partiake dhe të përkrahet propozimi i tij për përbërjen e qeverisë.

“Sot Bullgaria nuk është vetëm në udhëkryq, por është edhe para humnerës. Ndërsa në çfarë rruge do të nisemi varet nga ne, këtu dhe tani, nga ju në këtë sallë. A do të nisemi në rrugën e përgjegjësisë, vetëdijes dhe vullnetit për ta tejkaluar katastrofën në ardhje me forca të përbashkëta, apo do të mbetemi të mbyllur në populizëm, konfrontime dhe interesa të ngushta partiake”, tha Garbovski para deputetëve.

Dështimi i zgjedhjes së qeverisë e thellon krizën politike në Bullgari dhe e afron vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Sipas procedurës, presidenti bullgar Rumen Radev duhet t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë në zgjedhjet e fundit, në këtë rast partisë “Vazhdojmë me Ndryshimin” të ish-kryeministrit Kiril Petkov.

TRT Balkan / agjencitë