Dhuna në shoqëri: Cilët janë faktorët dhe si të parandalohet?     Foto: AA

Një video incizim ku shihet një infermiere duke përdorur dhunë dhe disa të tjera duke mos e ndaluar, në një shtëpi të pleqve në Pejë të Kosovës, ka tronditur opinion publik në gjithë Ballkanin. Institucionet kosovare kanë reaguar duke arrestuar të dyshuarit dhe tashmë kanë filluar procedurat përkatëse për zbardhjen e këtij rasti.

Megjithatë, rastet e tilla të dhunës, sidomos kur ushtruesit janë të rinj, nuk janë incidentale, por pjesë e një dukurie më të gjerë që kërkon trajtim serioz. Në fakt, Organizata Botërore e Shëndetësinë e quan “problem global të shëndetit publik” dhunën tek të rinjtë.

Këtu përfshihet një gamë e gjerë e akteve që nga bullizimi dhe përleshjet fizike, deri tek aktet më të rënda të dhunës fizike dhe seksuale si dhe vrasjet.

Në gjithë botën vlerësohet se ndodhin rreth 200.000 vrasje mes të rinjve të moshës 10-29 vjeç për çdo vit, që përbën rreth 42% të vrasjeve gjithsej për çdo vit. Vrasjet janë shkaktari i katërt më i përhapur i vdekjeve te kjo grupmoshë.

Edhe në rastet që nuk përfundojnë me fatalitet, pasojat mund të jenë të rënda. Rastet me pasoja të rënda fizike që shkaktojnë lëndime ose paaftësi janë shumëfish më të mëdha se vrasjet.

Nga ana tjetër, një numër shumë i madh rastesh lënë pasoja të tjera, shpesh të përhershme, psikologjike dhe sociale. Raste të tilla mund të prekin familjet dhe shoqërinë e viktimës, por edhe gjithë komunitetin.

Një studim në 40 vende në zhvillim tregon se rreth 42% e meshkujve dhe 37% e femrave kanë qenë viktimë e bullizimit fizik ose psikik.

Përderisa nuk ka një shpjegim universal për numrat e lartë të përfshirjes të të rinjve në dhunë, Organizata Botërore e Shëndetësisë numëron 3 grupe faktorësh që rrisin rrezikun që një i ri të përfundojë si dhunues.

Faktorët e rrezikut tek individi

· Mungesa e vëmendjes, hiperaktiviteti ose çrregullime të tjera të sjelljes

· Përfshirja në alkool, drogë ose duhan në moshë të hershme

· Inteligjencë ose arritje edukative e ulët

· Përkushtim i dobët në shkollë ose dështim në shkollë

· Papunësia

· Ekspozimi ndaj dhunës në familje

Faktorët e rrezikut në rrethin e ngushtë (familje, shoqëri, partnerë intimë dhe bashkëmoshatarë)

• Mbikëqyrje e dobët e fëmijëve nga prindërit

• Praktika prindërore të rrepta, të dobëta ose jokonzistente

• Lidhje e dobët mes prindërve dhe fëmijëve

• Abuzim i substancave ose kriminalitet te prindërit

• Depresioni te prindërit

• Të hyra të ulëta familjare

• Papunësi në familje

• Shoqërimi me bashkëmoshatarë delikuent dhe/ose anëtarësimi në grupe kriminale

Faktorët e rrezikut në komunitet dhe gjerësisht në shoqëri

• Qasje dhe keqpërdorim i alkoolit

• Qasje dhe keqpërdorim i armëve

• Grupe kriminale dhe qasje lokale të drogave

• Pabarazi e madhe e të hyrave

• Varfëria

• Cilësia e qeverisjes në shtet (ligjet dhe deri në çfarë mase zbatohen, si dhe politikat për edukimin dhe mbrojtjen sociale)

Parandalimi

Parandalimi i dhunës tek të rinjtë kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që trajton përcaktuesit socialë të dhunës, siç janë pabarazia në të ardhura, ndryshimet e shpejta demografike dhe sociale dhe nivelet e ulëta të mbrojtjes sociale.

Disa programe premtuese për parandalim të dhunës përfshijnë:

• Programe për përfitimin e aftësive të jetës dhe zhvillimit social, të dizajnuara që të ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët të menaxhojnë zemërimin, të zgjidhin konfliktet, të zhvillojnë aftësitë sociale për zgjidhjen e problemeve

• Programe për mbështetjen e prindërve dhe mësimin e aftësive prindërore

• Programe parashkollore që u mësojnë fëmijëve aftësi akademike dhe sociale në moshë të hershme

• Qasje terapeutike ndaj të rinjve me rrezik të lartë që të përfshihen në dhunë

• Kufizimi i qasjes tek alkooli

• Intervenime për të zvogëluar përdorimin e drogërave

• Rreptësim të licensave për armë

• Intervenime për të zvogëluar varfërinë e koncentruar dhe përmirësim të vendbanimeve urbane

TRT Balkan