Diplomon gjenerata e 58-të e Policisë së Kosovës.     /Foto: AA

Ka diplomuar gjenerata e 58-të e Policisë së Kosovës me gjithsej 490 policë të rinj.

Në betimin e policëve të rinj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se qëndron me nder dhe krenari para 490 kadetëve që po diplomojnë.

Ajo tha se nuk është e lehtë të diplomosh në akademinë policore.

“Të diplomosh në akademinë e policisë nuk është arritje e vogël, sot ju keni dëshmuar që zotoni cilësitë e nevojshme për t’i shërbyer shtetit dhe për të mbrojtur qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Kryeministri Albin Kurti tha se së fundmi zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar në pjesën veriore të Kosovës, duke shtuar se “sfida juaj është edhe sfida jonë”.

Kurti tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një prej institucioneve më të besueshme të qytetarëve.

“Si qeveri, që nga marrja e mandatit jemi betuar për luftimin e korrupsionit. Rreth 900 operacione policor janë kryer si dhe mbi 3.200 persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale. Intenstiteti i njëjtë i Policisë së Kosovës ka filluar edhe me veriun e vendit tonë, pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar ka pasur sulme të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, prej të cilëve edhe ka pasur të lënduar”, theksoi Kurti.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha së Policia e Kosovës po bën një punë të jashtëzakonshme për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë së shtetit.

Nga 490 policë të rinj të cilët u betuan në këtë ceremoni, 85 prej tyre janë nga komuniteti serb, boshnjak, turk, rom.

Policia e Kosovës numëron rreth 9 mijë anëtarë. Në ceremoninë e diplomimit në sallën "1 Tetori" në Prishtinë, morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ministra të tjerë kosovarë dhe udhëheqës institucionesh vendore dhe ndërkombëtare.


TRT Balkan / agjencitë