Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lirimi i Milan Radoiçiqit pas më pak se 24 orëve pas arrestimit është "dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi".
Kurti në fjalën e tij hyrëse në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit shumëçka është ndryshe dhe "gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të katër komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë".
"Ata dështuan. Dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar. Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht, Presidencës, Shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtës dhe ushtrisë serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues", theksoi Kurti.
Ai tha se institucionet kosovare të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë, derisa theksoi se qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.
"Për të arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë, vetëm sa e ka inkurajuar", tha Kurti.
Kurti tha se javën e kaluar, më 5 tetor, ka qenë 23 vjetori i rrëzimit të regjimit të Millosheviqit, ndërsa sipas tij, 23 vjet pas 5 tetorit "regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka përngjarë më shumë se sot, Serbisë së Millosheviqit, në botëkuptim, në synime, në sjellje, në metoda e në veprime".
Në fund ai u bëri thirrje bashkëqytetarëve serbë në Kosovë që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jenë të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe si dhe të raportojnë tek Policia e Kosovës sjelljet e dyshimta të individëve.
"Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjt, romët, egjiptianët, goranët dhe të gjithë të tjerët jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën tonë të dashur paqësore e proevropiane", shtoi Kurti.
Më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit pas një sulmi të një grupi të armatosur rëndë prej më shumë se 80 personash në drejtim të njësiteve policore kosovare, u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa 4 pjesëtarë të këtij grupi po ashtu mbetën të vrarë.
Përgjegjësinë për organizimin e këtij grupi e mori ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Radiçiq u lirua nga Gjykata në Beograd një ditë pasi ai u ndalua për 48 orë dhe u mor në pyetje në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Kosovë.