Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin Dushko Arsiq për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
Sipas gjykatës, i akuzuari D.A. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej trembëdhjetë viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 08.12.2021 deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi dhe të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Po ashtu, obligohet i akuzuari D.A. t’i paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës penale.
“D.A. është akuzuar se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupe paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit janar-qershor të vitit 1999, fillimisht kishte marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kishin filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ia kishin vënë zjarrin”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Po ashtu, siç thuhet në komunikatë ata kishin marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kishin plagosur dhe vrarë.
“I akuzuari D.A. po ashtu kishte marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.Sh, ashtu që më datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës në vendin e quajtur “Varrezat e Maqedoncve” deri sa viktima kishte qenë duke ecur, e kishin gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kishin goditur, atëherë e kishin urdhëruar të dëmtuarin A.K., në atë kohë 15-vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh. ta mbajë në shpinë, edhe pse i dëmtuari kishte pasur lëndime të konsiderueshmë fizike, pasi që paraprakisht i pandehuri D.A. e kishte maltretuar fizikisht dhe psikikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokoleve shtesë. I dëmtuari A.K. udhëzohet në kontest të rregullt civil, lidhur me kërkesën pasurore juridike”, thuhet në komunikatë.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.