Efektet e Urës së Peleshacit brenda 1 viti. / Foto: AA

Ndërtimi i urave është njëra ndër pikat më të rëndësishme të zhvillimit më efikas të komunikacionit.

Së fundmi, këtë e dëshmon Ura e Peleshacit në Kroaci, e hapur pikërisht një vit më parë, ka përmbushur synimet dhe pritjet e saj, sipas të dhënave që deri më 25 korrik kanë kaluar 2.305.537 automjete, me ç’rast presioni në pikën kufitare Neum me Bosnjë e Hercegovinën ka rënë ndjeshëm dhe Kroacia është bashkuar si një e tërë, e cila nuk ka çmim.

Të dhënat e “Rrugëve kroate” flasin se gjatë sezonit të pikut turistik, mesatarisht 13.880 automjete kalojnë urën në ditë.

Gjatë këryre shtatë muajve të vitit në urë kanë kaluar 984.596 automjete. Numri më i madh i automjeteve që nga lansimi ishte të shtunën më 22 korrik, kur u regjistruan 19.029 automjete.

Një statistikë tjetër interesante që sqaron privilegjet e urës është krahasimi i qarkullimit të automjeteve nëpërmjet pikës kufitare me Bosnjë e Hercegovinën, ku para lëshimit në funksion të urës së Peljeshekut, gjatë muajve të verës, trafiku mesatar ditor ishte i stërngarkuar me 11.046 automjete në ditë.

Statistikat e “Rrugëve kroate” tregojnë se ura uli ndjeshëm presionin në pikat kufitare Klek dhe Zaton Doli, ku trafiku ra me rreth 70 për qind krahasuar me vitin 2019.

Reduktimi i aksidenteve

Prej lëshimit në funksion Ura e Peleshacit nuk ka pasur asnjë aksident trafiku edhe përkundër numrit të madh të automjeteve.

Ndonëse një pjesë e mediave pohuan se ka pasur problem me asfaltin në urë, “Rrugët kroate” pohojnë se nuk ka pasur fatalitete, por se ka pasur dëmtime të vogla në rrethojën në afërsi të urës.

Projekti dhe standardet e urës së Peleshacit

Ura e Peleshacit është ndërtuar në kuadër të projektit “Lidhja rrugore me Dalmacinë jugore”, që përfshin ndërtimin e një ure me rrugë hyrëse.

Vlera totale e të gjithë projektit ishte pak më shumë se katër miliardë kuna dhe grantet e BE-së mbuluan 85 përqind të kësaj shume.

Ura e Peleshacit ka një gjatësi totale prej 2.404 metrash, me gjashtë kolona kryesore dhe trembëdhjetë hapje çeliku që variojnë në gjatësi nga 72 deri në 285 metra, ndërsa lartësia prej 55 metrash plotëson kërkesën e Bosnjë e Hercegovinës për të siguruar kalimin e qetë të anijeve në Neum.

Ura është e destinuar për qarkullim ekskluzivisht me mjete motorike dhe komunikacioni zhvillohet në të dyja drejtimet në dy korsi. Nuk ka trotuare ose korsi biçikletash.

Ura mbi lumin Buna

Një urë e ngjashme si Ura e Peleshacit është paralajmëruar të ndërtohet në bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi që do ta afrojë Ulqinin me Velipojën në vetëm 1 kilometër.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë rënë dakord për ngritjen e një ure mbi lumin Buna.

Gjatësia totale e urës do të jetë 310 metra dhe diapazoni midis dy shtyllave mbështetëse do të jetë 139 metra

Ura do të jetë 17 metra e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku nga 3,75 metra secila, dy trotuare nga 2 metra secila dhe dy korsi biçikletash nga 1,25 metra secila.

Ura do të lidhë 34 km plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530.000 turistë çdo vit.

Distanca aktuale mes Ulqinit dhe Velipojës është 73km, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1km.

Data e planifikuar e përfundimit të punimeve është gusht 2024.

TRT Balkan