Fidan takon Begajn dhe Ramën gjatë qëndrimit në Shqipëri      / Foto: AA

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan, i cili realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj bisedoi me kryediplomatin turk për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zhvillimet rajonale.

"Presidenti Begaj vlerësoi se Shqipëria dhe Türkiye janë partnere strategjike dhe kanë një miqësi tradicionalisht shumë të mirë. 'Bashkëpunimi shqiptaro-turk, në të gjitha fushat, është një bashkëpunim i frytshëm', u shpreh Begaj'", thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se presidenti Begaj i përcolli ministrit Fidan falënderimet për ndihmën që Türkiye i ofroi Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit (të nëntorit 2019), por edhe për investimet e tjera në vend, duke shtuar se "Türkiye është ndër partnerët ekonomikë më të mëdhenj në Shqipëri dhe investimet turke kanë të punësuar më shumë se 15 mijë shqiptarë në vendin tonë".

Për sa u përket zhvillimeve në Ballkan, Begaj vlerësoi se: “Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla të rëndësishme për politikën shqiptare, që garantojnë paqe, siguri, stabilitet demokratik në rajon, si dhe janë parakushte për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”.

Ndër të tjera, thuhet se Presidenti Begaj e vlerësoi rolin dhe kontributin e Türkiyes në Ballkanin Perëndimor si një partner i natyrshëm e historik për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Gjithashtu, thuhet se Begaj e vlerësoi mbështetjen që Türkiye jep për integrimin e Kosovës në organizmat rajonalë dhe globalë, si dhe lobimet e saj të fuqishme për njohjen e mëtejshme të Kosovës.

Takimi Fidan - Rama

Takimi Fidan - Rama      /Foto: AA AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Takimi Rama-Fidan është realizuar në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve të tjerë nga të dyja vendet.

Gjatë vizitës në Shqipëri, kryediplomati turk u takua edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe vizitoi Xhaminë e Namazgjasë në ndërtim e sipër në Tiranë, ashtu si edhe u takua me biznesmenë turq.

TRT Balkan / agjencitë