Në një raport të Fondit Botëror të Kafshëve të Egra (WWF), Greqia është renditur ndër vendet më të këqija në Bashkimin Evropian (BE) për sa i përket menaxhimit të mbetjeve komunale.
Sipas raportit, derisa prodhimi i mbetjeve në Greqi është rritur me pothuajse 73 për qind që nga viti 1995, shkalla aktuale e riciklimit të vendit mbetet rreth 16 për qind me më shumë se 80 për qind e mbetjeve që përfundojnë në deponi.
WWF-ja tha se apatia politike, zbatimi i dobët i rregulloreve, mungesa e burimeve dhe ekspertizës në nivelin e qeverisjes vendore, korrupsioni i rrënjosur dhe ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm i publikut janë ndër arsyet kryesore që qëndrojnë prapa kësaj gjendje.
Organizata jofitimprurëse paralajmëroi se strategjia aktuale e qeverisë për menaxhimin e mbetjeve nuk është vetëm e dëmshme për mjedisin, por gjithashtu është financiarisht e pakujdesshme.
Ajo po ashtu sugjeroi zbatimin e veprimeve specifike, duke përfshirë, por pa u kufizuar në zhvillimin e sistemeve transparente të riciklimit, krijimin e rrymave të veçanta për grumbullimin e materialeve të ndryshme të riciklueshme, si dhe rritjen e stimujve dhe financimit për ripërdorimin e mbetjeve, siç praktikohet në vende të tjera evropiane.
“Komisioni Evropian dhe Avokati i Popullit i Greqisë prej kanë identifikuar çështjet e shumta që mundojnë këtë sektor, duke kërkuar një sërë reformash strukturore që ende duhet të përmbushen nga qeveria greke. Vetëm përmes inovacionit dhe veprimit të guximshëm mund të shpresojmë të transformojmë ekonominë rrethore në një realitet dhe jo në një mundësi tjetër të humbur”, tha Achilleas Plitharas, menaxher i WWF-së në Greqi.